Emra dhe Emërtime (ose Koncepte dhe Sende).

 

  1. Janë shtatë vende në Kuran ku Allahu flet për krijimin e Ademit (ngjarja e krijimit të Ademit dhe dialogu i zhvilluar mes Zotit, Ademit, engjëjve dhe Iblisit), dhe në njërin prej këtyre shtatë rasteve, tregon edhe për dyshimin e Engjëjve se njeriu si mëkëmbës i Zotit në tokë (halifullah), nuk ishte i denjë dhe se ai do të shkaktonte trazira dhe gjakderdhje. Për t’i çliruar engjëjt nga ky dyshim, Allahu bën një ballafaqim mes Engjëjve dhe Ademit, përsa i përket zotërimit të njohurisë së emrave, ballafaqim prej të cilit del në pah epërsia e Ademit ndaj Engjëjve, (apo thënë ndryshe del në pah ajo e vetmja veti e pranishme tek Ademi dhe e munguar tek Engjëjt, që mjafton për të dëshmuar potencialin e njeriut si halifullah): Engjëjt nuk janë në gjendje të tregojnë emrat, ndërsa Ademi, fill pas tyre tregon se e zotëron dijen e emrave. Pas kësaj dëshmie, Engjëjt të bindur për vërtetësinë e gjithçkaje që Zoti cakton të ndodhë, i bëjnë sexhde Ademit, duke u penduar tek Allahu për dyshimin e tyre.

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: unë po krijoj në tokë një zëvendës! Ata thanë: A do të vendosësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë! Ai tha: unë di atë që ju nuk dini!E Ai ia mësoi Ademit të gjithë emrat, pastaj ata ua prezantoi engjëjve dhe u tha: Më tregoni për emrat e këtyre, nëse jeni të drejtë! Thanë: Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç asaj që na mësove Ti. Vërtet, Ti je I Gjithëdijshmi, I Urti.Tha: O Adem, njoftoi ata me emrat e tyre! E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, tha: A nuk u kam thënë juve se Unë, më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë? E kur u thamë engjëjve: Përuluni Ademit!, ata menjëherë iu përulën me përjashtim të Iblisit. Ai refuzoi dhe u mbajt me të madh dhe u bë pabesimtar.” El-Bekare, 30-34.

 

Të vihet re se në të gjitha rastet ku Allahu flet për emrat nuk thuhet asnjëherë shprehimisht emrat e kujt, por thuhet : “ të gjithë emrat – el-esma kuleha”, dhe “emrat e këtyre – bi esmai haulai”, dhe “ tregojua emrat e tyre – enbihum bi esmaihim” (pra fjala ”emrat” plotësohet gjithmonë nga një përemër pa u përcaktuar shprehimisht se për emrat e kujt bëhet fjalë). Mirëpo në përkthimet në shqip të këtyre ajeteve, por edhe në komentet apo tefsirin e tyre, megjithëse në Fjalën e Allahut në Arabisht nuk përmendet asnjëherë fjala “gjëra” apo “sende”, merret e mirëqenë që përderisa flitet për emrat atëherë automatikisht flitet për gjërat apo sendet, sepse besohet pa asnjë dyshim se emrat shenjojnë – tregojnë sendet. Mirëpo e vërteta është që ky është një pohim i gabuar mbështetur mbi një bindje të gabuar aq të përhapur, saqë tingëllon si një skandal apo madje e pakuptimtë ajo që do të pohojmë menjëherë, (pikërisht e kundërta) (që edhe është pohimi i vërtetë): emrat nuk shenjojnë sendet.

 

Në fakt, ky pohim përputhet me themelin e teorisë së dijetarit të gjuhës Ferdinand de Sossyr, i cili thotë që shenja gjuhësore (siç e quan ai fjalën) përbëhet nga i shenjuari (ajo çfarë fjala tregon, ajo çfarë fjala bart, ajo çfarë tek lehtësia e shqiptimit të fjalës shtin peshën e botës) dhe nga shenjuesi ( që është lidhësi mes fjalës dhe shenjuesit, që e ngarkon shenjuesin tek fjala, apo që e zbulon sikur ai ka qenë më parë atje). I shenjuari, pra “ajo gjë” të cilit fjala i shërben si emër, nuk është “ndonjëra prej gjërave” apo “ndonjë cilido send”, por është Koncepti – Ideja – Kuptimi – Domethënia – Një pjesë nga tërë e padukshmja, që përshkruan atë që është shkruar për të dukshmen. Për ta kuptuar më qartë se çfarë do të thotë që Fjala nuk tregon Sendet por Konceptet, duhet mos harruar për asnjë çast se përmbi të gjithë atributet që ua dimë të ndryshme, duke mos dhe pa i ngatërruar me njëri-tjetrin (Sendin dhe Konceptin) qëndron fakti që Sendi është i jashtëm, kurse Koncepti është vetëm i brendshëm (pra Koncepti nuk ka asnjë mundësi të jetë i dukshëm dhe i jashtëm, apo i dukshëm përsëjashtmi, sespe jo si trup, por si imazh, ekziston vetëm sëbrendshmi).

2. Ngaku, fjalët nuk shërbejnë për të përmbushur marrëdhënien e jashtme – të dukshme të njeriut me sendet, por për t’i mundësuar atij atë që ndryshe do të ishte e pamundshme: marrëdhënien mes Të jashtme – Të Dukshmes me Të brendshme – Të padukshmen. Pra Fjala është Emër, duke qenë se Emri në vetvete, pra fakti që Emri është, që Emri shqiptohet, është dëshmi e ekzistencës së të padukshmes. Thënë ndryshe, po të mos ekzistonte e padukshmja Fjalët – Emrat nuk do kishin arsye thelbësore të ekzistonin, sepse do të ishin të zëvendësueshëm: sikur të ekzistonte vetëm e dukshmja (pra vetëm bota e objekteve dhe sendeve), nevoja për ndërveprim mes nesh dhe botës do të përmbushej edhe përmes manualizimit imediat, edhe përmes komunikimit me gjeste, edhe përmes komunikimit me simbole fikse, pa qenë me domosdo nevoja për Emrat) (Emrat janë të pazëvendësueshëm, vetëm nëse ekzistojnë edhe Konceptet si realitet i padukshëm, sepse ndërveprimi ynë me Konceptet nuk përmbushet me asnjërën prej tre mënyrave të përmendura më lart- manualizim, gjeste, simbole fikse).

Ata që nuk e besojnë këtë tezë, janë ata që thonë: që ta besoj se diçka ekziston, duhet ta verifikoj me shikim, me dëgjim me prekje, në të kundërt nuk ekziston. Kjo do të thotë se të tillët besojnë se ekziston vetëm e dukshmja, kurse e padukshmja është thjesht një mënyrë të thëni, që nuk ka realitet. Përkundrazi (paradoksalisht): përderisa duhet njëfarë kohe për të provuar se një gjë është reale apo e rreme, tregon pikërisht se në origjinë gjithë gjërat ekzistojnë përmes Emrit të tyre si të padukshme, dhe vetëm opsionalisht mund ta ofrojnë ekzistencën e tyre si prani të dukshme. (Që do të thotë, se sikur të mos ekzistonte e padukshmja vërtet do të kishim një përfitim të madh sepse s’do të ekzistonte e gënjeshtërta, por përpara se të gëzonim këtë përfitim duhet të bëjmë llogaritë edhe me këtë: sikur mos ekzistonte e padukshmja s’do të ekzistonin Emrat – Fjalët -Gjuha. Mundësia e mundimshme që gjërat të jenë të vërteta apo të rreme, është çmimi që duhet të paguajmë për të patur Gjuhë – Fjalë – Emra.)

 

Pra jo se fjalët nuk tregojnë sendet, por nuk është ky qëllimi i tyre, ky është vetëm një funksion dytësor apo i prejardhur i tyre. Kështuqë pohimi që fjalët shenjojnë sendet është i pavërtetë, jo se fjalët nuk e bëjnë këtë, por sepse është i pavërtetë implikimi që sugjeron se emërtimi i sendeve është arsyeja ekzistencës së fjalëve. Fjalëve u mjafton si qëllim dhe si arsye të qeni, fakti që ato shenjojnë Konceptet, atributi kryesor i të cilëve është fakti që ato nuk mund të jenë kurrë Të jashtëm dhe nuk mund të jenë kurrë Të Dukshëm. Prandaj të thuash që fjalët emërtojnë sendet, do të thotë në thelb të refuzosh apo mohosh ekzistencën e të padukshmes, mohim me pasoja katastrofike sepse dërgon në sipërfaqësi, cektësi dhe rëndomtësi, duke qenë se lehtëson një sjellje që i sendëzon kuptimet, i merr kuptimet si të dhëna në mënyrë përfundimtare, të dukshme, të vetëkuptueshme të jashtme ( që do të thotë se kuptimi ose mbërrihet menjëherë, ose nuk mbërrihet kurrë dhe mbërritja e menjëhershme tek kuptimi është provë që ai është i vërtetë dhe vlen, kurse mundimi për ta mbërritur mjafton për të kuptuar se ai kuptim është i pavlerë, a i panevojshëm).

 

3. Konfondimi që po tregojmë këtu gjithsesi në origjinë është i pashmangshëm : ne përdorim të njëjtat fjalë, si për të shenjuar Konceptet, si për të shenjuar Sendet. Dhe për ta përftuar këtë qartësi duhet një përpjekje e posaçme dhe një reflektim i thellë mbi natyrën e Njeriut, Realitetit dhe Gjuhës, siç tek tezat e Sosyrit. Por në fakt, nëse muslimanët do të ishin më syçelë ndaj çdo nuance të asaj që thotë Allahu me Fjalën e Vet në Kuran, mund të merrnim sugjerime të mjaftueshme për t’iu afruar këtyre të vërtetave që paraqitëm më lart.

Sepse, siç vërejtëm që në fillim, në ajetet 30-34 të sures Bekare, ku Zoti flet për kapacitetin e Ademit për të njohur Emrat, në fakt Të gjithë Emrat, ka të dhëna që të çojnë tek këto përfundime: pra, se nga mënyra sesi Zoti e tregon këtë ngjarje, nuk ka asnjë formulim të drejtpërdrejtë që t’i lidhë Emrat me Sendet, sikurse e sugjerojnë përkthimet në shqip të Kuranit. Përveç kësaj, “të gjithë emrat” pra totaliteti i këtij pohimi, më parë se të sugjerojë emrat e gjërave të pranishme materialisht gjatë këtij ballafaqimi mes Ademit dhe Engjëjve, sugjeron praninë e gjithë Koncepteve, të cilët për nga mënyra e të qenit Në Të Brendshmen ekzistojnë si Imazhe (dhe jo si Sende), e për pasojë mund të shfaqen si të tilla virtualisht, të gjitha njëherazi. Këtë e sugjeron edhe tek ajeti 31: “pastaj ata ua prezantoi engjëjve – thume aradahum ala el-melaike”, pra pasi Allahu i mësoi Ademit Emrat, u paraqiti Engjëjve Të njëjtat, pra Tërësinë e Koncepteve dhe u kërkoi të tregonin Emrat e tyre, gjë që ato nuk e bënë dot. Përse? Ne dimë aq sa dimë për Engjëjt dhe natyrën e tyre, që me siguri është e paktë. Por gjithsesi dimë që ato kanë ekzistuar para njeriut, dhe dimë që kanë zbritur në Tokë si ushtri për të crrënjosur qeniet e para shkatërrimtare që kanë banuar Tokën, pra që megjithëse në origjinë të tyre janë qenie të padukshme, kanë patur përvojë ndërveprimi me botën materiale të dukshme, pra përvojë ndërveprimi me sendet. Si është realizuar kjo përvojë? Dy janë mundësitë që rrok mendja jonë si përgjigje për këtë pyetje: Ose kjo përvojë është realizuar pa ndërmjetësimin e Emrave (siç e thamë më lart me manualizim – a gjestikulim – a simbole fikse); Ose duke njohur Emërtimet dhe jo Emrat (dallimin mes dy termave që do ta tregojmë fill më poshtë).

Po ashtu, duke qenë se dimë që engjëjt janë qenie që nuk e njohin të keqen dhe dualitetin mes të mirës dhe të keqes, kjo mund të shpjegohet se vjen nga fakti që Engjëjt ndoshta nuk i njohin fare Konceptet, sepse nuk kanë nevojë për to, sepse për të njohur Botën dhe Gjërat në të, u mjafton njohja konkrete imediate, përhershmërisht intuitive, e cila ose nuk ka nevojë fare për Emrat, ose ka nevojë për emrat si etiketa, pra si Emërtime automatike jokonceptuale (por tashmë këtë e thamë njëherë).

Dhe po në këtë ajet, përforcohet çka thamë, nga: “ më tregoni emrat e këtyre – enbiuni bi esmai haulai” (po të bëhej fjalë për Sendet Konkrete, nuk duhej të ishte përemri “haulai”, por përemri “ulaike”, i cili tregon atë që është më larg apo matanë, dhe me aq sa dimë – e të gjithë këtë Zoti e di më mirë – Sendet aq mizëri saç janë nuk mund të jenë të gjithë afër, me siguri një pjesë a tyre do të ishte për parim renditjeje, më larg); (ndërkohë që nëse bëhet fjalë për Konceptet siç besojmë ne derimëtani, kjo vështirësi bie, sepse ekzistenca e tyre si Imazhe, mundëson të jenë të gjitha në të njëjtin vend dhe pranë).

Nga sa, mund të konkludojmë se ndoshta për herë të parë Engjëjt për ekzistencën e Koncepteve mësuan prej Ademit dhe kjo shpjegon epërsinë e tij ndaj tyre dhe sexhden e tyre ndaj tij.

Ndërsa në ajetin pasardhës, thuhet “ a nuk ju thashë se unë di të fshehtën e qiejve dhe tokës dhe di atë që shfaqni dhe atë që mbani të fshehtë – kale elem ekul lekum ini alemu gajbe semauati ue elerdi ue alemu ma tubdune ue ma kuntum tektumun” dëshmia e Zotit për veten se ai di edhe atë që ne shfaqim, edhe atë që fshehim (ndryshe, edhe të jashtmen, edhe të brendshmen) sugjeron atë që thamë më lart, se përveç gjithë çfarë kemi në të brendshmen, Konceptet më shumë se ato (sensacione, plane, brenga, përfytyrime) duhet të kihen parasysh kur flitet për të brendshmen, pasi vetëm Konceptet mund të ekzistojnë vetëm Në Të Brendshmen (sepse Në Të Jashtmen humbasin natyrën e tyre dhe sendëzohen) (kurse sensacionet, brengat, përfytyrimet mund edhe të dalin jashtë pa e humbur natyrën e tyre) dhe vetëm Zoti e di këtë natyrë të tyre, duke qenë se për Të nuk është e nevojshme që gjërat e brendshme të dalin jashtë, që të ketë dijeni për to.

4. Përsa mund të jenë të sakta vërejtjet e renditura më lart, mund të komentojmë edhe një prej pohimeve të përsëritura të Allahut në Kuran, ku Ai pohon për Madhështinë e Tij, dhe thotë se kur do të bëhet një gjë, mjafton të thotë “ Bëhu” dhe ajo bëhet. Megjithëse përsëritet në tetë vende në Kuran, na mjafton këtu të citojmë ajetin e parafundit të Sures Jasin: “Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhëri i Tij është vetëm t’i thotë” Bëhu!” ai menjëherë bëhet – inema emruhu idha erade shejen en jekule lehu kun fejekun” Jasin, ajeti 82.

Pra nëse Zoti do të sjellë në ekzistencë çfarëdoqoftë, pra ta bëjë të jetë, për Të mjafton ta thotë Dëshirën e Tij për atë duke thënë në urdhërore, një folje: Bëhu. Por para se Zoti ta shpallë Dëshirën e Tij, ekziston Dëshira e Tij për atë që do të krijojë, që në thelb do të thotë ekziston Kuptimi dhe Koncepti i saj. Dhe megjithëse dija për këtë është Gajb, aq pak sa mund të themi është, se tek Zoti Koncepti dhe Emri

Përkatës krijohen njëherazi (kjo është më afër Përsosmërisë së Allahut, sesa të themi krijon një gjë si Emër pa e pajisur me kuptim, apo të themi krijon një Kuptim dhe pastaj i vendos emrin. Një vonim i tillë mund të kishte kuptim në raport me atë që Allahu u shfaq krijesave, por jo në atë që është tek Allahu me Veten e Tij, siç është rasti i Dëshirës së tij para se ta thotë Atë). Dhe kur do të krijojë çfarëdoqoftë si një ekzistencë të posaçme dhe konkrete, pra si një Send, Allahu na tregon në këtë ajet se thërret aktin e të bërit (“Bëhu!”) dhe edhe nëse e thërret Emrin e Konceptit tashmë ekzistues tek Ai, edhe nëse nuk e

thërret shprehimisht, ky është përdorimi i parë i Emrit. Pasi gjëja përkatëse krijohet, atëherë sa herë përmendet gjatë përdorimeve të tij apo ndërveprimit manual me të, e njëjta fjalë, e përdorur është po nuk gëzon statusin e Emrit, por është thjesht një Emërtim.

Pra Emri (si Emër i Konceptit si Realitet i Brendshëm) ekziston para se Sendi (si Realitet i Jashtëm) të bëhet përmes shprehjes së Dëshirës së Allahut. Kjo herë e parë e përmendjes prej Allahut të Emrit të Konceptit përcakton kushtet e përdorimit të Emrit: sa herë që jemi duke folur për një Koncept, cilidoqoftë ai, përmendja e tij është Një Emër, i cili në thelb është një shteg lidhës mes Të brendshmes dhe Të jashtmes, me potencialin për ta refuzuar, për ta ndryshuar a tejkaluar vlerën e Të jashtmes.

Në të kundërt, sa herë që synojmë të flasim për sende të veçanta konkrete, (që është përvoja jonë më e përhapur), atëherë jemi duke përmendur jo Emrin, por një Emërtim, do të thotë një etiketë për t’mos e humbur sendin gjatë manipulimit, apo për ta mbajtur të fiksuar gjatë pauzave, apo për ta numëruar kollaj gjatë përllogaritjeve. Dhe në këto raste ne nuk kemi ndonjë aspiratë ndaj tërë Së jashtmes si të tillë, por thjesht synojmë të përshtatemi a mbijetojmë në raport me të duke u pajtuar me rendin ekzistues të gjërave.

 

Rudian Zekthi