Të dashur besimtarë. Jemi në fund të muajit të bekuar të Ramazanit dhe dalëngadalë po ndahemi prej tij. Po ndahemi prej muajit të mëshirës e faljes, muajit të mirësive e begative të shumta, muajit të Kur’anit e natës së Kadrit.
Të lumtë ata që përfituan nga ky muaj dhe u angazhuan në shtimin e veprave të mira, ndërsa të mjerë janë ata që nuk përfituan asgjë nga muaji i Ramazanit. I Dërguari i Allahut u ngrit në minber dhe tha tre herë: “Amin, amin, amin!” Ata që e dëgjuan nuk kuptuan asgjë, prandaj edhe e pyetën, ndërsa i Dërguari i Allahut i lajmëroi se Xhibrili i kishte thënë atij: “O Muhamed, u shkatërrua, humbi, e largoi Allahu dhe do të hyjë në zjarr ai që e arriti Ramazanin por nuk iu falën mëkatet e tij, andaj thuaj amin. Tha i Dërguari i Allahut: “Thash amin-ashtu le të jetë.”
Nuk tha kot Allahu në Kur’anin Famëlartë kur foli për agjërimin:
فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“…E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”
Le të agjërojë për shkak të mirësive të mëdha të ramazanit, për vlerën e madhe që agjërimi kishte gjatë këtij muaji, ku i Dërguari tha: “Ai i cili agjëron ramazanin me bindje të plotë në Allahun dhe shpresë (në falje), atij do t’i falen mëkatet e kaluara.” Gjithashtu për vlerën që kishte namazi i teravive e namazet vullnetare, dhikri e bamirësia, por edhe leximi i Kur’anit që do të ndërmjetësojë për të në ditën e Gjykimit. E vlerë mbi vlera ishte padyshim nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj.
Andaj, kur t’i përmbledhim këto dhe gjithë mirësitë e tjera, del në pah se i privuar nga këto mirësi dhe i humbur është ai që nuk përfitoi asgjë prej muajit të Ramazanit. Kishte mundësi, e kishte shansin e artë për ta shfrytëzuar, mirëpo ose nga neglizhenca ose nga mohimi, nuk bëri asgjë, prandaj humbi shumë dhe humbja e madhe e tij do të jetë në ahiret, atë ditë kur secili do të prezantojë para Allahut veprat e tij. Në anën tjetër, ai që i bëri gjithë këto vepra që nga agjërimi, namazi, leximi i Kur’anit, sadakaja dhe veprat tjera, nuk kemi myzhde më të madhe se sa fjalët e Resulullahit kur tha: “Në xhenet ka një derë që quhet Rejjan, në të do të hynë vetëm agjëruesit…” O Allah na mundëso të jemi prej atyre që hynë në xhenet nga dera e Rejjanit!
Vëllezër të dashur! Këto ditë ishin një shanse e mirë për të na ndryshuar neve për të mirë Zatën ky është qëllimi primar i agjërimit që të na bëjë më të mirë dhe më të afërt me Zotin, ashtu siç Ai tha në përmbyllje të ajetit të agjërimit: “që të bëheni më të devotshëm!”
Gjatë këtyre ditëve që kanë mbetur ta shtojmë istigfarin për veprat që kemi bo taksir (kemi lënë mangu) dhe pendimin për gjithë ato të këqija e gjynahe që i kemi bo si para ramazanit ashtu edhe gjate ramazanit. T’ia japim besën Zotit se do ta vazhdojmë rrugën në të cilën ishim gjatë Ramazanit. Andaj, ato punë e tërë ato mirësi që i kemi bërë gjatë këtyre ditëve, të mundohemi t’i bëjmë edhe pas ramazanit, edhe nëse janë në volum më të vogël, e rëndësishme është të mos kthehemi në vepra të liga e mëkate, sepse nëse kthehemi në to, atëherë ramazani nuk ka bërë ndryshime tek ne.
Omer ibën AbdulAzizi kur po afronte përfundimi i ramazanit, u shkruante gjithë udhëheqësve të myslimanëve dhe i porosiste me dy gjëra: “Ramazanin ta përmbyllin me istigfar (kërkimfalje) dhe mos ta presin Bajramin veçse e kanë dhënë fitrin. E krejt në fund u thoshte: “Thuani njerëzve ta thonë lutjen e babait tyre, Ademit:
رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ ‎
““Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”

Të nderuar xhematlinj!
Ata të cilët nuk e kanë dhënë fitrin, ta japin deri para faljes së namazit të bajramit, ngase pas faljes së namazit të bajramit llogaritet vetëm si një sadaka e thjeshtë e jo si kryerje e obligimit. Fitri është pastrim për agjëruesin për shkeljet dhe gabimet e mundshme gjatë ramazanit dhe ndihmesë për nevojtarin.
Shumë prej atyre që sot e marrin fitrin, e kanë obligim për me dhënë ata fitrin e jo me pranu nga të tjerët, sepse në kohën e të Dërguarit të Allahut e jepnin fitrin nëse kishin ushqim vetëm deri për ditën e bajramit, e jo më tepër.
Ndihmojeni Medresenë duke dhuruar fitrin për të, ngase kur ndihmoni Medresenë keni ndihmuar fenë, ndihmojeni edhe shoqatën bereqeti, ngase kur ndihmoni shoqatën bereqeti keni ndihmuar vëllezërit tuaj, sepse kjo shoqatë vetëm në komunën tonë përkujdeset për 70 familje me gjëra ushqimore të nevojshme gjatë tërë vitit.
Krejt në fund, vëllezër të dashur, nga thellësia e shpirtit e lusim Allahun të na i pranojë ibadetet dhe veprat e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji dhe të na mundësojë ta vazhdojmë këtë rrugë edhe pas ramazanit edhe nëse s’mund të jemi krejtësisht sikur në Ramazan. I Dërguari i Allahut tha:
‏ ‏ أَحَبُّ الأَعْمَالِ إِلَى اللَّهِ تَعَالَى أَدْوَمُهَا وَإِنْ قَلَّ ‏
“Prej veprave më të dashura tek Allahu është ajo që ka vazhdimësi, edhe nëse është e vogël (paktë)
Mos të harrojmë fjalët e dijetarëve kur thanë se “vazhdimësia në vepra të mira është myzhde se dikujt i është pranuar agjërimi dhe veprat e mira.”