(Përmbledhje rreth kuptimeve të emrit të Allahut Err-Rrekib)

Vëllezër të nderuar!
Ndërgjegjësimi është një nga objektivat më fisnike në edukim. Ndërgjegjësimi nënkupton nivelin më të lartë të edukimit, nivelin në të cilin njeriu udhëhiqet nga vlerat dhe virtytet. Në këtë aspekt, rolin më të madh që dikush mund ta luajë në ndërgjegjësim është feja. Kjo për shkak të lidhjes së veprimeve tona me Allahun e madhëruar, Krijuesin tonë, Atë që di çdo gjë që bëjmë e veprojmë dhe atëherë kur të tjerët mund të mos na shohin a dinë çka veprojmë. Sot, në hytben e kësaj xhumaje, do të shpjegojmë një nga emrat e Allahut dhe ndërlidhjen e tij me ndërgjegjësimin. Siç e dimë, Allahu ka emrat më të bukur dhe më të përkryer.
وَللهِ الأَسْمَاءُ الحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا
“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…” [A’rafë: 180]
Janë të këtillë sepse –siç thotë Sheukani në Fet’hu-l-Kadir- emërtojnë Zotin por edhe për shkak të kaptimeve dhe domethënieve madhështore të tyre.

Xhematlinj të nderuar!
Nga këta emra të bukur të Allahut, për këtë hytbe ne kemi përzgjedhur emrin Rrekib -Mbikëqyrës, kuptimet dhe domethëniet e të cilit do t’i shpalosim para jush. Më saktë, do ta trajtojmë nga aspekti edukativ për ta parë rëndësinë e tij në formësimin e karakterit dhe sjelljeve tona.

Emri Err-Rrekib është përmendur në Kur’an në disa kaptina, si p.sh., në kaptinën Nisa:
ِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا
“…Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” [Nisa: 1]
Siç kanë shpjeguar dijetarët, emri Err-Rrekib nënkupton përkujdesjen për krijesat, ruajtjen e tyre, diturinë rreth tyre, të qenit dëshmitar i veprimeve të tyre. Rrekib nënkupton se Allahu i madhëruar e di atë që ne e fshehim në zemrat tona. Rrekib, në fakt, nënkupton përsosurinë e Allahut të madhëruar dhe të tipareve të Tij, nënkupton se asgjë nuk i fshihet Atij, e madhe apo e vogël qe; asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen dhe dijen e Tij; Ai është vigjilent, vëzhgon dhe mbikëqyr vazhdimisht krijesat. Ky emër reflekton në sjelljet dhe veprat e besimtarin të cilin e ngrit gjithnjë e më shumë derisa ta sjell në pozitën e ihsanit, e cila siç na ka mësuar Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., është: “Ta adhurosh Allahun sikur e sheh sepse nëse ti nuk e sheh Ai të sheh ty!” (Buhariu, nr. 50; Muslimi, nr. 9)

Vëllezër myslimanë!
Cili është reflektimi edukativ i kuptimeve të këtij emri të bukur të Allahut të madhëruar?
Çfarë mund të përfitojmë prej tij që ta gdhendim dhe përsosim sjelljen tonë?
Nëse ndalemi dhe analizojmë ajetet kur’anore dhe hadithet profetike, do të përfitojmë mësime shumë me vlerë, prej të cilave, në këtë hytbe po përzgjedhim mësimet në vazhdim:

1. Braktisjen e mëkateve sepse Allahu na sheh
Pra, Allahut nuk i fshihet asgjë, madje as këto shikimet e përvjedhura që zakonisht njerëzit nuk i vërejnë. Nëse është kështu, atëherë ky fakt mjafton për ta stopuar besimtarin nga rënia në mëkate edhe nëse njerëzit nuk arrijnë ta vërejnë e shohin.
Rëndësia e këtij emri nuk qëndron thjesht në edukimin që na bënë për të braktisur mëkatet e dukshme por edhe ato tjerat, të padukshmet, ato të zemrës, të cilat i sheh vetëm Allahu i madhëruar, i Cili na kujton:
يَعْلَمُ خَائِنَةَ الْأَعْيُنِ وَمَا تُخْفِي الصُّدُورُ
“Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” [Gafir: 19]
Allahu i sheh zemrat tona dhe gjëra që ne i fshehim në to, andaj, përderisa është kështu, pra asgjë nuk i fshihet Atij, zemrat duhet të jenë të pastra e të dëlira nga mëkatet.

2. Vigjilenca dhe mbikëqyrja e vetvetes
Duke folur për kuptimet e këtij emri të bukur të Allahut, dijetarët na mësojnë se ajo që besimtari përfiton prej tij ka të bëjë edhe me mbikëqyrjen e vetvetes dhe kujdesin e shtuar që të mos i lejojë djallit asnjë hapësirë dhe të mos i ofrojë asnjë mundësi që ta devijojë dhe lajthitë…

3. Përmbushja e kritereve të pranimit të veprave
Mbikëqyrja nga Allahu parasheh që në aspektin e veprave t’i përmbushim dy kushtet themelore të tyre: sinqeritetin, pra t’i bëjmë vetëm për hir të Allahut, dhe përputhjen me përshkrimet profetike, respektivisht sunnetin. Kushdo që ka bindjen se Allahu e sheh dhe e përcjell, do ta bëjë veprën në formën më të mirë të mundshme.

Vëllezër të nderuar!
Duke qenë se mbikëqyrja është e veçantë, atëherë edhe shpërblimi për të është paraparë të jetë i veçantë. Në hadithin e saktë të shënuar nga Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., na mëson se, në Ditën e Llogarisë, shtatë kategori njerëzish do të përfitojnë hije nën Arsh, prej të cilëve do të jetë edhe: “…ai që e kujton Allahun në vetmi ndërsa nga frika i rrjedhin lotët.” (Buhariu, nr. 660; Muslimi, nr. 1031.)

Besimtarë të respektuar!
Nga shpjegimet që ofruam mund të konstatojmë se rëndësia e këtij emri të bukur të Allahut në jetën dhe veprimtarinë tonë është e madhe. Ai jo vetëm që na bën t’i shmangemi ndalesave por na e përshkuan edhe rrugën e duhur që duhet trasuar për të bërë veprat e mira. Me mësimet që përmendëm dhe shumë të tjera që për shkak të hapësirën i lamë, mund të themi se i është zbërthim i ihsanit –kurorës së besimit, asaj gjendjes shpirtërore në të cilën Allahu adhurohet sikur të shihet sepse, edhe nëse ne nuk e shohim Atë, ai na sheh neve. Prandaj, të vazhdojmë të mësojmë më shumë për Allahun sepse duke e njohur Atë e përsosim çdo gjë!