2. Të kujtojmë fundin e udhëtimit tonë


Progresi, siç u përmend më parë, nënkupton një lëvizje përpara; por nuk na tregon asgjë për drejtimin e kësaj lëvizjeje. Është përpjetë apo tatëpjetë? Është një ngjitje apo një zbritje? A është një ngritje e shpirtit apo rënie e tij? Ka shumë gjëra që ecin në mënyrë progresive përpara. Edhe kanceri është progresiv. Ajo që po përpiqem të them është: si e dimë nëse progresi është i mirë për ne dhe me çfarë standardi matet? Një nga ‘mjeshtërit shpirtëror’ tha njëherë vërejtjen: “fi’l-harakah berekah – në lëvizje ka bekime”. Është e qartë, megjithatë, jo çdo lëvizje është e bekuar.
Edhe pika se sa larg kemi përparuar në aspektin e shkencës dhe teknologjisë është diçka si ‘red herring’ (diçka që largon vëmendjen nga çështja reale) kur vlerësojmë idenë e ndryshimit dhe përparimit. Kurani tregon një sërë tregimesh për qytetërimet e mëparshme dhe arritjet e tyre ‘teknologjike’ të asaj kohe. Megjithatë, kur vihen krah për krah me papajtueshmërinë dhe shkujdesjen e tyre ndaj Realitetit hyjnor, një përparim i tillë shihet si është në të vërtetë: marrëzia, lajthitja dhe arroganca qytetëruese. Në Kuran thuhet: ‘’ Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u kanë sjellë prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi.’’ (Kuran, 30:9)
Dijetarët e hershëm muslimanë, të cilët i jepnin përparësi botës tjetër para materializmit të dynjasë u munduan të na rrënjosnin mësimin jetik të Kuranit, se përparimi material – ‘gërmimi i tokës dhe ndërtimi mbi të’ – nuk mund të jetë kurrë matës i ndonjë suksesi të vërtetë ose kuptimplotë. Burimet islame na tregojnë se në vitin 649, ekspedita e parë e flotës detare muslimane u dërgua kundër ishullit mesdhetar të Qipros, i cili ishte nën kontrollin e një perandorie bizantine; tani në vitet e saj të muzgut. Ushtria muslimane shpejtoi për të pushtuar garnizonin e vogël bizantin dhe qipriotët shpejt po u paguanin xhizjen muslimanëve. Duke parë lehtësinë me të cilën njerëzit e kësaj perandorie dikur të fuqishme ishin të mundur dhe të nënshtruar, sahabiu i famshëm i Profetit, Ebu Derda, filloi të qajë. I pyetur se pse qau ditën kur Zoti i dha fitore Islamit dhe muslimanëve, ai u përgjigj: “Mjerë për ju! Sa të parëndësishme bëhen krijesat për Zotin kur neglizhojnë urdhrat e Tij. Këtu është një komb që dikur ishte i fuqishëm dhe i fortë dhe kishte sundim. Por ata i braktisën urdhrat e Krijuesit, prandaj shikoni se çfarë u bë me ta.”
Në gjykimin e shtytjes së pandërprerë të botës bashkëkohore për përparim, besimtarët nuk duhet të pajtohen me të gjitha ortodoksitë dhe supozimet popullore të epokës. Madhështia civilizuese dhe përparimi teknologjik për hir të tyre, siç mund të shihet, janë shumë pak në skemën kuranore të gjërave. Ne nuk duhet të magjepsemi nga “barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të varfër që konkurrojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta”, siç e paralajmëroi Muhamedi alejhi selam. Gërmimi i tokës është një gjë; varrosja e rrugës drejt shpëtimit të shpirtit është një gjë tjetër. Prandaj, le të shtrojmë përsëri pyetjen shumë të rëndësishme: Si duhet të vlerësohet ndryshimi dhe progresi?

“Për muslimanët,” shkroi Gai Eaton, “mund të ketë vetëm një kriter me anë të të cilit vlerësohet ndryshimi. A e nxit devotshmërinë – vetëdijen për praninë hyjnore – apo e pakëson atë? A shpie në një numër në rritje të burrave dhe grave në portat e Xhenetit apo i inkurajon ata të devijojnë nga rruga e Zotit? A e përforcon Ligjin e shpallur hyjnor apo e mjegullon dallimin midis asaj që urdhërohet dhe asaj që është e ndaluar? Ka, sigurisht, konsiderata të tjera, por ato duhet të zënë një vend më të ulët në një renditje fikse prioritetesh. Rritja e jetëgjatësisë është, padyshim, një gjë e mirë, por është e kotë nëse këto vite shtesë nuk çojnë në një ndërgjegjësim në rritje për Realitetin hyjnor, të cilin ne do ta takojmë së shpejti. Nuk ka asgjë të gabuar në thelb me komoditetet e ofruara nga bota moderne, higjienë më të mirë, jetë më e dinjitetshme, mjete transporti më të përshtatshme, por këto nuk kanë vlerë nëse rehatia që na e ofrojnë këto begati na inkurajon të harrojmë origjinën dhe fundin tonë.”

3. Përgjigjet e muslimanëve ndaj ndryshimeve shoqërore


Unë supozoj se ka disa mënyra për të përshkruar se si ne si muslimanë po përpiqemi aktualisht të vendosim besnikërinë ndaj sheriatit me kontekstin tonë shoqëror që ndryshon me shpejtësi. Megjithatë, çdo përshkrim i tillë do të jetë një përgjithësim; një përafrim i një grupi dinamikash mjaft komplekse. Megjithatë, për t’i bërë këto hollësi të pahijshme, mund të themi se dallohen dy orientime drejt ndryshimit. E para shpesh quhet “tradicionaliste”; e dyta, ‘moderniste’. Megjithëse këto dy metoda përfaqësojnë dy skajet e spektrit për ndryshim, megjithatë ka disa mbivendosje kur dikush lëviz nga ekstremet drejt mesatares. Për të shtuar njëfarë nuance, unë do të doja të nënndaj tradicionalistët në dy grupe, duke na dhënë kështu tre përgjigje të gjera ndaj ndryshimit:


I. ULTRA KONSERVATIVËT
Pozicioni tradicionalist, i cili është ai i ulemave ose dijetarëve kryesorë, është konservator; thekson formulimet klasike të Islamit; dhe është i kujdesshëm ndaj risive dhe ndryshimeve. Në ekstremin e saj janë ultra-konservatorët; ata që besojnë se Islami është shprehur mjaftueshëm në librat klasike të fikhut dhe se nuk janë formulimet paramoderne të Islamit që kanë nevojë për ndryshim, por shoqëria që është larguar nga udhëzimi i tij. Kur ata lejojnë ndryshimin, ai shihet si diçka e përkohshme; një lloj vrapimi në drejtim të erës.

II: TRADICIONALISTË E NDJESHËM
Grupi i dytë i tradicionalistëve ka një qasje shumë më të balancuar. Ata janë të kujdesshëm që të bëjnë dallimin ndërmjet atyre aspekteve të sheriatit që janë fikse dhe të pandryshueshme, dhe atyre të hapura për përshtatje dhe zgjerim. Me fjalë të tjera, ata pranojnë se disa rregulla fetare janë të pandryshueshme, ndërsa të tjerat janë kontigjente dhe kulturore. Ata gjithashtu bëjnë dallimin midis arsyetimit që krijon një vendim ligjor dhe hikmetit – urtësisë aktuale pas vendimit të dhënë. Ata gjithashtu mbështeten në trupin e pasur të filozofisë juridike e cila merret me qëllimet e Ligjit të Shenjtë (mekasid al-shari’ah), si dhe u jep besim zakoneve dhe normave – sipas maksimës ligjor: el-‘adah muhakkamah – “normat kulturore kanë peshën e ligjit”, ose “zakonja përcakton se çfarë është ligji’’. Ekziston edhe rregulli që dikton se: “fetvaja ndryshon me ndryshimin e etapave”. Përveç kësaj, juristët kanë në dispozicion një numër të madh fetvash dhe precedentësh ligjorë të cilët hyjnë në rubrikën e: “çështje problematike që janë me interes të përgjithshëm për komunitetin”. Kjo i referohet atyre rrethanave për të cilat, kur disa vuajtje bëhen të shfrenuara dhe të përhapura dhe fillojnë të prekin shumë njerëz, atëherë duhet të bëhen kompensime për to për shkak të konceptit ligjor të domosdoshmërisë – interes jeti. Vetëkuptohet se të dish se si dhe kur të përdorësh mjete të tilla komplekse ligjore është arti dhe zanati i juristit-muxhtehidit; dhe asnjë tjetër.
Karafi, një dijetar i shquar i shekullit të gjashtë, shkroi: “Ata që japin gjykime ligjore duke u kapur verbërisht pas teksteve në librat e tyre, pa marrë parasysh realitetet kulturore të popullit të tyre, janë në gabim të madh. Ata janë në kundërshtim me konsensusin e vendosur ligjor, si dhe janë fajtorë për mosbindje ndaj Zotit… Pasimi i tyre i verbër ndaj asaj që është shkruar në përmbledhjen ligjore është devijimi në fenë islame dhe injorim i plotë i qëllimeve përfundimtare pas vendimeve të studiues të së kaluarës dhe personazheve të mëdhenjë të së kaluarës, të cilët ata pretendojnë se po i pasojnë.”
Dy shekuj më vonë, Ibn Kajjimi miratoi qasjen e Karafit, duke pohuar: “Ky është kuptim i pastër i Ligjit të Shenjtë. Kushdo që u jep njerëzve vendime juridike bazuar vetëm në atë që transmetohet në përmbledhjet e shkurtëra për çështje të caktuara – pavarësisht nga dallimet në zakonet, kohët, vendet, kushtet, si dhe rrethanat e veçanta të situatës së tyre – ka humbur dhe i çon të tjerët në rrugë të gabuar.”
Zbatimi i ligjit në situata të reja dhe në çështje bashkëkohore është, pa dyshim, një detyrë e vështirë dhe nganjëherë mund të ketë një vijë të hollë midis përshtatjes dhe falsifikimit: por megjithatë ekziston një vijë. Ulematë tradicionalë, gjatë shekujve të fundit, kanë parë një rritje sharlatanësh të veshur me patkun e dijetarit – shumë larg përmbushjes së kushteve të ixhtihadit që bëjnë thirrje për reformë të sheriatit dhe që pretendojnë të drejtën për ta bërë këtë për veten e tyre. Prandaj, në sytë e atyre që janë kalitur me Ligjin e Shenjtë – Sheriatin, të folurit për ndryshimin ose për përshtatjen me kohën, ka të bëjë më shumë me tekat dhe dëshirat, se sa me udhëzimin hyjnor.
Për ta përmbledhur: për këta tradicionalistë, ndryshimi (ose më mirë, përshtatja) ndodh nën drejtimin e juristëve dhe muxhtehidëve, dhe në një mënyrë që është pranuese, por kritike dhe selektive e asaj që perëndimi ofrojn në aspektin e shkencës, teknologjisë dhe mendimit intelektual. Së bashku me këtë, duhet të kuptohet se është në natyrën e vetë botës moderne, laike të gërryejë gjithçka që është e shenjtë dhe se ofertat e saj janë rrallë neutrale ose pa vlera, por përkundrazi janë të përfshira në vlera profane perëndimore dhe filozofitë si laicizmi, individualizmi e materializmi. Për tradicionalistët, çështja nuk është nëse ligji duhet t’i përshtatet ndryshimeve; në vend të kësaj ka të bëjë me sa dhe nga kush. Për tradicionalistët, gjithashtu, në zemër të çdo përshtatjeje duhet të qëndrojë ruajtja e besimit, normave të shenjta dhe bindja ndaj Vullnetit Hyjnor.

III. MODERNISTËT
Sa për modernistët, është e vështirë t’i fusësh në një rrëfim të vetëm të unifikuar. Modernizmi është më shumë një rubrikë për një sërë idesh, prirjesh dhe popujsh të ndryshëm: reformistë, liberalë, progresistë, laikë. Ajo që mund të thuhet se i karakterizon të gjithë është braktisja e traditës, e cila, në rastin e Islamit, i referohet një zinxhiri të pandërprerë të të mësuarit dhe urtësive të marra që arrin deri te Profeti ynë, paqja qoftë mbi të. Tradita duket e prapambetur; e mbyt progresin; është një relike e së shkuarës, do të donin të besojmë modernistët. Prandaj mantra e modernizmit thotë: “Islamit ka nevojë për një reformim”. Në fund të fundit, ata argumentojnë, krishterimi iu nënshtrua një reformimi dhe shikoni se çfarë ndodhi atje. Shiko me të vërtetë!
Pjesa përmbyllëse e këtij blogu (që do të postohet së shpejti, në dashtë Zoti) diskuton pohimin e modernistëve se Islami kërkon një lloj reformimi. Ai gjithashtu do të marrë parasysh pretendimin e tyre se ‘ulematë tradicionale janë ende të mbërthyer në një lloj ‘Medine nostalgjike’.


Shkroi: Shejh Ebu Alijah Surkheel


Solli në shqip:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org