Sedat ef.Islami
Rezymeja:
1. Sekretet e ecjes së qetë;
2. Përse mendjemadhësia?!;
3. Vlera e modestisë;
4. Botëkuptimi real i modestisë në ecje;
5. Edukata e ecjes.
Të nderuar vëllezër!
Në hytben e kaluar mësuam për adhurimin dhe domethënien e tij të vërtetë nën hijen e Kur’anit dhe Synetit. Siç e theksuam, ajo hytbe ishte vetëm një hyrje në një seri hytbesh përkitazi me cilësitë e robërve të sinqertë të Allahut, të vjela nga kopshti kur’anor, përkatësisht nga pema e el-Furkan-it (El-Furkan, 63-76), që dallon të mirën nga e keqja, të sinqertin nga hipokriti, besimtarin nga pabesimtari, robin e Allahut nga robi i djallit…
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Hytbeja jonë mban titullin “Modestia”1, që simbolizon një tipar për të cilin shquhen robërit e sinqertë të Allahut.
Allahu thotë: E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë….” (el Furkan, 63.)
Përse ka filluar pikërisht me ecjen? Prej çfarë këndvështrimi përftohet modestia nga ecja? Cilat janë sekretet e saj?Allahu i Madhëruar hapi serinë e cilësive të robërve të Tij të sinqertë në këtë kaptinë me modestinë në ecje, për faktin se të ecurit paraqet dhe demonstron personalitetin e njeriut. Bindjet dhe botëkuptimet e njeriut përkthehen më së miri nga shprehjet, sjelljet dhe veprimet e tij. Nga kjo, arsyet e modestisë së besimtarit në ecje janë vërtetë domethënëse.
Besimtari ecën modest, ngase e di që krijimi i tij është nga poshtë, nga toka, nga dheu, prandaj nuk sheh diçka që e motivon për kryelartësi. Bazuar në këtë, ai e di se, edhe po ta ngritka kokën shumë lart, edhe po të mos “shihte” askënd përpara, prapëseprapë, mundësitë e tij janë të kufizuara. Prej këtu porosia kur’anore: “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, sepse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.”, (el-Isra, 37.) …bëhet slogan i tij, me të cilin marshon drejt lavdisë dhe krenarisë si rob i Allahut të Madhëruar. Pastaj, besimtari ndërton të ardhmen duke shikuar të kaluarën, kështu që, duke e pasur të freskët tregimin e Karunit, që u fundos në tokë për mendjemadhësi, ai nuk i lejon vetes trasimin e rrugës së tij. Ndoshta faktor i rëndësishëm, për të mos thënë kryesor, është edhe fakti se ajo “shtresa e pavlerë”, që anashkalohet qëllimisht nga ata të cilëve dynjaja ua ka verbuar zemrat e sytë nuk u bëjnë dritë, është pikërisht ajo që ruan stabilitetin në tokë. Sikur të mos ishin ata, atëherë Allahu do ta kishte shkatërruar njerëzimin.
Pejgamberi, alejhis selam ka thënë: “Po ju a ndihmoheni dhe a furnizoheni për tjetër veçse për hir të të dobëtëve tuaj”2.
Besimtari është modest, sepse ka model, ka shembull, ka kë ta pasojë që të përvetësojë këtë tipar. A nuk ka qenë krijesa më e shquar, më e dalluar, më e dashur tek Allahu, Muhammedi, alejhis selam, i pajisur me virtytet e modestisë, përulshmërisë, butësisë, dashurisë, afërsisë me robërit e Allahut…Pejgamberi, alejhis selam, siç kanë transmetuar në transmetime të ndara Aliu dhe Ebu Hurejre, ecte natyrshëm; as ngadalë, as shpejtë.3
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ende ka vend për të parashtruar pyetjen “Pse mendjemadhësia?” sikurse ka vend për përgjigjen e saj. Përse ngre kokën lart, o njeri, kur zanafilla jote, lënda prej së cilës je krijuar, është shumë e pavlerë.
A nuk ka thënë Allahu: “Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët.” (es-Sexhde, 7-8)..
Mutarr-rrif b. Abdullahu takoi një ditë në rruge një ushtarak të lartë, që ecte kryelartë. Mutarr-rrifi ia tërhoqi vërejtjen dhe e ndaloi nga një sjellje e tij, kurse ai e kërcënoi duke i përmendur pozitën e tij. “E di se kush je. E di fillimin dhe mbarimin tënd. Në fillim ishe vetëm një pikë uji, kurse në fund do të qelbesh dhe do të jesh shumë i pavlerë…”- iu përgjigj ai.
Besimtarë të dashur!
Modestia paraqet më së miri filozofinë sociale të Islamit. Islami elementin që përcakton mburrjen dhe krenarinë, nuk e ka lënë në prejardhje, familje, pasuri, fizik (bukuri), por në shpirt. Mund të mburresh sa të duash, të shfaqësh mendjemadhësi e të krenohesh, por nëse e ke shpirtin të ndyrë, atëherë e tëra të shkon kot.
Allahu në Kur’anin famëlartë ka thënë: ”…e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)….” (el-Huxhurat, 13)
Vëllezër myslimanë!
Si është ecja modeste? Me kokë të ulur? Të shtiresh si i sëmurë? Me shfaqje të dobësisë fizike? Jo. Islami ka paraparë edhe këtu mesataren, dhe nëse një grup bëjnë mendjemadhësi, grupi tjetër shfaqin modesti të tepruar, për se edhe kanë rënë në shkallën e poshtërimit, Islami sjell alternativën e tij të mishëruar në porosinë e Llukmanit dhënë të birit: “Të jesh i matur në ecjen
tënde…” (Llukman, 19)
Të mos jesh kryelartë, nuk do të thotë të ulësh kokën poshtë, ose të vishesh keq, ose të ecësh i rraskapitur. Omeri disa asketëve injorantë, që kinse nga lodhja e rraskapitja nuk mund të bënin rukunë e sexhden mirë, ua kujtoi se devotshmëria nuk është në rrobat po në zemër. Zaten, Pejgamberi, alejhis selam, ka thënë: “Nuk hyn në Xhennet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi, qoftë edhe sa një grimcë! Por, shtroi pyetjen një i pranishëm- njeriu ka dëshirë ta ketë veshmbathjen të bukur? Allahu është i bukur dhe e do të bukurën –u përgjigj Pejgamberi, alejhis selam dhe shtoi mendjemadhësia është mohimi i së vërtetës dhe poshtërimi – nënçmimi i njerëzve.”4
Besimtarë të dashur!
Vetvetiu pas kësaj që sqaruam, lind nevoja për njohjen më konkrete me edukatën e ecjes në Islam. Si të ecim dhe për se të kemi kujdes gjatë ecjes?
Gjëja e parë që duhet ta mënjanojmë, është shikimi i gjërave që nuk lejohen.
Allahu i ka urdhëruar besimtarët dhe besimtaret në kaptinën en-Nur, ajetet 30-31, që të ruajnë shikimet: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)…”,Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre…”.
Ecjen me maturi, madje qoftë edhe duke shkuar në xhami për namaz. Allahu ka thënë: “Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.”( Lukman, 19.)
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhis selam, ka thënë: “Kur të fillojë falja e namazit, mos ejani duke nxituar po ecni të qetë; atë që e zini, faleni, e pjesën tjetër plotësojeni”.
Përshëndetja e njerëzve në rrugë, ashtu siç e do rendi fetar. Pejgamberi, alejhis selam, një herë qe pyetur për aspektin më të mirë të fesë, për se pati dhënë këtë përgjigje: “Të japësh ushqim dhe të përshëndetësh ata që i njeh dhe që nuk i njeh”6
Largimi i pengesave nga rruga. Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:”Derisa një njeri ecte në një rrugë, pa një degë me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu si shpërblim ia fali mëkatet”. ( Buhariu dhe Muslimi.)
Besimtarë të nderuar!
Përse të mos jetë ky moral pjesë e personalitetit tonë? Përse të mos jemi modestë kur modestia na ngre? Përse të mos përvetësojmë kulturën e atyre që Allahu në Kur’an i përgëzoi me Xhenet? Allahun e lusim të na i pastrojë zemrat tona dhe të na bëjë model për mirësjellje, edukatë dhe kulturë!