Mr. Feim Dragusha

Falënderimet dhe lavdërimet më të sinqerta i takojnë vetëm Krijuesit, Sunduesit të kësaj gjithësie! Atij i falënderohemi që na dalloi nga të gjitha krijesat tjera, duke na dhuruar mendjen, arsyen, intelektin, e mbi të gjitha, na krijoi në formën më të përsosur. Paqa e shpëtimi i Tij qofshin për vulën e pejgamberëve – Muhammedin alejhi selam, familjen e tij të ndershme, shokët e tij të dashur dhe mbarë bamirësit besimtarë!

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Ejani ta ngrisim besimin duke vepruar punë të mira, në çdo vend dhe ne çdo kohë. Të përkujtojmë, të nderuar të pranishëm, se kjo botë ka edhe fundin e vet, andaj askush nuk do të jetojë në të përgjithmonë. Ne jemi kalimtarë rasti dhe duhet të punojmë që të përgatitemi për destinacionin e fundit e që është bota e amshueshme. Një ditë do të kthehemi tek Krijuesi dhe këtë botë do ta braktisim njëherë e përgjithmonë. Pas neve do t’i lëmë familjet, shokët, pasurinë si dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar gjatë qëndrimit tonë në këtë botë.

Allahu i Plotfuqishëm u drejtohet krijesave të Tij, dukë u thënë: “O populli im, kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se një përjetim i përkohshëm, ndërsa bota tjetër është ajo e përhershmja!” (Kur`an, 40:39).

Të nderuar xhematlinj!

Përse të mos shfrytëzojmë këtë botë si përgatitje për botën tjetër, botë e cila është e përjetshme dhe në të cilën nuk ka më vdekje? Të tregojmë kujdes se për çdo gjë që veprojmë në këtë botë do të ketë shpërblim apo ndëshkim për të, varësisht nga puna që kemi bërë. Në lidhje më këtë, Allahu i Madhërishëm thotë: “Kush bën ndonjë vepër të keqe, ndëshkohet vetëm për aq sa është ajo, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, por duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në Xhennet dhe aty shpërblehen pa masë!” (Kur`an, 40:40).

Besimtarë të nderuar!

Nga ne kërkohet që të jemi sa më të kujdesshëm kur është në pyetje shfrytëzimi dhe jeta në këtë botë. Të veprojmë sa më shumë vepra të mira që është e mundur! Po qe se tregohemi aktivë në punë të mira, pa dyshim se ato do të jenë edhe kursimet tona në Ditën e Gjykimit, gjithashtu, veprat në këtë botë do të jenë pasaporta për të hyrë në xhennetet e Allahut, të cilat janë të stërmbushura me shumë madhështi dhe bukuri të ndryshme, të cilat as që mund t’i imagjinojmë. Për të arritur sukses në shtimin e kursimeve për botën e ardhshme, ekzistojnë vetëm dy mënyra:

E para: duke kryer obligimet e Allahut të Lartësuar më plot sinqeritet, si p.sh; falja e pesë kohëve të namazit dhe xhumaja, nxjerrja e zeqatit, agjërimi i ramazanit, shkuarja në haxh, etj. Shpërblimi për veprat në fjalë do të regjistrohet në momentin e kryerjes së ibadetit.

Mënyra e dytë, e cila dallon krejtësisht nga e para për shkak se besimtari apo besimtarja në këtë rast nuk do të shpërblehet vetëm atëherë kur ta kryejë punën e mirë, mirëpo shpërblimi për veprën që e ka bërë do të vazhdojë edhe më tutje gjer në Ditën e Gjykimit. Ky lloj i veprave të mira llogaritet si lloj i kursimeve për ahiret (Botën e Amshueshme). Andaj edhe themi se nga lëmoshat më të mira llogaritet sadakaja e vazhdueshme. Lëmoshë e vazhdueshme do të thotë nëse njerëzit në vazhdimësi përfitojnë nga projekte të ndryshme, si p.sh.: ndërtimi i xhamisë apo i ndonjë spitali, furnizimi më ushqim apo ujë të pijshëm, mbështetja mujore e një apo më shumë jetimëve, gjithashtu hyn nën këtë ombrellë. Prandaj, ne duhet të jemi bujarë e zemërgjerë e t’u japim sadaka atyre që janë në krizë, të kontribuojmë në ndërtim të xhamive, rrugëve, spitaleve, shkollave, jetimoreve, etj. Ata të cilët vërtet ndihmojnë në këtë drejtim, padyshim se shpërblimi do t’u arrijë edhe në varr, qoftë edhe nëse ka mbjellur vetëm një pemë në këtë botë, prej të cilës do të hanë të tjerët. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nëse njeriu vdes, ndalen veprimet e tij, përveç tri gjërave: një lëmoshë e vazhdueshme, një dije e dobishme dhe fëmija i mirë që lutet për të!” (Transmeton Muslimi).

Këto janë tri veprat shpërblimet e të cilave i arrijnë besimtarit edhe pas vdekjes së tij.
Po ashtu, nga ne kërkohet që diturinë e fituar ta shfrytëzojmë për të mirë, duke i mësuar të tjerët; duke e përhapur atë apo duke i ndihmuar njerëzimit me dituri të dobishme.
Çështja e tretë që është cekur në hadithin e sipërshënuar, na bën me dije vlerën që ka edukimi i fëmijëve si dhe devotshmëria e tyre, të cilët do të lutën për ne edhe atëherë kur ne kemi ndërruar jetë.

Të nderuar xhematlinj!

Për t’u begatuar më fëmijë të mirë e të devotshëm, kërkohet punë dhe mund, fëmijët nuk mund të edukohen brenda një nate, siç mendojnë një grup njerëzish, mirëpo duhet sakrifikuar me vite të tëra në mënyrë që fëmijët të arrijnë deri në atë shkallë të devotshmërisë. Edhe lëmosha (sadakaja) renditet ndër investimet më të lehta që mund të realizohen. Çdo person posedon lloje të ndryshme të pasurisë, përmes së cilës mund t’u ndihmojë nevojtarëve. Ndihma apo kontributi nuk mund të bazohet vetëm në të holla (para). Nuk është fare më rëndësi se sa është shuma të cilën kemi dhuruar apo lloji i pasurisë, më rëndësi është që besimtari apo besimtarja kur të jap diçka nga pasuria e saj, të japë me sinqeritet! Allahu i Lartësuar thotë: “E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh e ai jep fryte të dyfishta. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni!” (Kur`ani, 2:256).

Ky ajet bukur mirë na tregon se Allahu i Lartësuar e pranon ndihmën dhe lëmoshën, e cila realizohet me sinqeritet për ta arritur kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë. Gjithashtu, trasimi i kësaj rruge, gjegjësisht, dhënia sadaka (lëmoshë) bën që besimtari të fitojë shpërblim të dyfishtë edhe nëse lëmosha është një shumë krejtësisht e vogël.
Besimtarë të respektuar!

Sadaka e vazhdueshme nuk përkufizohet vetëm në para, pa marr parasysh çfarë posedojmë, nëse vërtetë e kemi dhënë me sinqeritet, padyshim se për këtë do të gjejmë shpërblim tek Allahu i Madhërishëm. Feja islame na mëson që si ymmet që jemi, ta ndihmojmë njerëzimin, pa dallim race apo feje. Pejgamberi alejhi selam, thotë: “Më i miri prej njerëzve është ai që sjell dobi të tjerëve!” (Transmeton Taberaniu). Ai (Pejgamberi alejhi selam), gjithashtu, ka thënë: “Allahu gjithherë do të jetë në ndihmën e robit të Tij përderisa robi i Tij është në ndihmë të vëllait të vet!” (Transmeton Muslimi).

Të nderuar xhematlinj!

Sadakaja apo dhënia lëmoshë fillimisht pastron pasurinë, siç thotë i Dërguari i Allahut, alejhi selam: “O ju te pasur, më të vërtetë në këtë shitblerje prezantojnë përbetuesi dhe rrenacaku, pra, pastrojeni atë me lëmoshë!” Sadakaja, gjithashtu, e pastron trupin e njeriut nga mëkatet siç thotë Allahu i Lartësuar: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh (të mirat)!…” (Kur`an, 9:103).

Për në fund, sadakaja largon fatkeqësitë dhe sëmundjet nga robi i Allahut. I Dërguari i Allahut, në një hadith të tij citon: “Shëroni të sëmurët me lëmoshë!” Poashtu, ajo fut hare dhe kënaqësi në gjoksin e të varfrit. Transmetohet se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Vepra më e dashur tek Allahu është të fusësh kënaqësi në gjoksin e besimtarit!”
Të gjithë këto që përmendem me dobitë dhe të mirat që sjell në dynja, ndërsa dobitë që sjell në Botën e Amshueshme, mund të veçojmë: Lëmosha do të jetë mburojë nga nxehtësia e madhe e asaj Dite për atë që ka dhënë sadaka; besimtarit ia lehtëson llogarinë Ditën e Gjykimit; peshoren ia rëndon me vepra të mira. Gjithashtu, i ndihmon që Urën e Siratit ta kalojë më lehtësi si dhe besimtarin apo besimtaren e ngrit në shkallë më të lartë të Xhennetit!
Lusim Allahun Fuqiplotë që të na marrë shpirtin duke qenë muslimanë dhe të na bëjë të mundur që sa më shumë të investojmë për Botën e Amshueshme, për Ditën kur nuk do të na bëjnë dobi fëmijët e as pasuria! Amin!



Burimi