Florim ef. Mellova
Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun xh.sh, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedit a.s njeriun më të nderuar nga të gjitha krijesat, mbi njeriun që Allahu xh.sh e deshi më së shumti prej të gjitha krijesave që gjendet ne tokë dhe qiej, e deshi edhe më shumë se melaqet e Tij të nderuara.
Fjala “modesti” ka dy kuptime:
1. Të pranosh atë që është e drejtë dhe t’i nënshtrohesh asaj prej cilitdo qoftë ajo, i vjetër apo i ri, i pasur apo i varfër, nga miku apo armiku … Pra ta pranojmë atë që është e drejtë, prej kujtdo qoftë.
2. Të sillesh mirë me njerëzit, të pasur apo të varfër, të fortë apo të dobët, të respektuar apo të përbuzur… Po të shohim e kundërta e modestisë është mendjemadhësia, të cilën Muhamedi a.s e përkufizon me fjalët:
“Mendjemadhësia është mospranimi i të drejtës dhe përbuzja e njerëzve”.
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Ia pranoj namazin atij që tregohet modest ndaj madhështisë Time, nuk tregohet mendjemadh ndaj krijesave të Mia, nuk ka vdekur duke vepruar gjynahe, ai që më përmend ditën, që mëshiron të varfrit dhe nevojtarët, që mëshiron gratë e veja dhe njerëzit me fatkeqësi”.
Mirësia e modestisë
Muhamedi a.s thotë:
“Ai që tregohet i thjeshtë, Allahu e ngritë në pozitë të lartë”. “Kush përulet ndaj Allahut një gradë, Allahu e ngritë një gradë, derisa të arrijë gradët më të larta. Kush tregohet mendjemadh ndaj Allahut, i ulen gradët derisa të arrijë gradët më të ulëta”. “Allahu më ka urdhëruar që të jeni modestë ndaj njëri-tjetrit, me qëllim që të mos mburreni dhe të mos cenoni të drejtat e të tjerëve”.
Muhamedi a.s thotë:
“Nuk do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi, qoftë dhe sa një grimcë”.
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë:
“Krenaria dhe mburrja janë cilësitë e Mia, kush mundohet të mi marrë do ta ndëshkoj”.
Lukmani e këshillonte djalin e tij duke i thënë:
“Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve”. (Isra’ 37)
Fjalët, sjelljet dhe krejt jeta e tij është shëmbëlltyrë për neve, ku Allahu xh.sh thotë:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”. (Ahzab 21)
Po ashtu Allahu xh.sh na tregon se e dërgoi Muhamedin a.s për ta bërë shkak që t’i mëshiroj krijesat edhe më shumë, ku Allahu xh.sh thotë:
“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. (Enbija 107)
Le të shohim tani moralin e modestisë te Muhamedi a.s.
Muhamedi a.s nuk qëndronte i mrrolur, por gjithmonë ishtë i buzëqeshur.
Muhamedi a.s ishtë: i butë, i qetë, i çiltër, fjalëëmbël, fjalëpakë, … .
Muhamedi a.s thotë:
“Allahu më dha të zgjedh ndërmjet të qenit mbret-pejgamber dhe rob-pejgamber”. Një ditë shkoi dikush të Muhamedi a.s dhe kur u takuan filloi të dridhej nga emocionet.
Muhamedi a.s i tha: “Qetësohu, pasi nuk je para një mbreti, por para dikujt që nëna e tij në Meke, hante mish të tharë”.
Kur Muhamedi a.s ishte në shtëpi ai ndihmonte familjen, qepte rrobat, rregullonte këpucët dhe merrej me mjeljen e dhenve. E gjitha kjo megjithëse ai ishte njeriu më i dashur i Allahut dhe i dërguari i Tij.
Muhamedi a.s një ditë duke qëndruar me shokët e tij, në mesin e tyre ishte edhe një vajzë e vogël, e thërret të shkoj te ai, pastaj Muhamedi a.s nxjerr një bylyzyk t’ia dhuroj vajza zgjat dorën ta marrë, por Muhamedi a.s i thotë: “Jo, unë do ta vendos te qafa jote” dhe ia vendosi. Tregon vetë vajza më vonë: “Pasha Allahun, nuk e kam hequr prej qafës prej asaj dite dhe kam lenë porosi që të më groposin bashkë me mua në varr, që në Ditën e Gjykimit të shkoj e t’ia tregoj Pejgamberit a.s”.
Muhamedi a.s dëshironte gjërat e mira, më parë për shokët e tij se sa për vete. Ku Muhamedi a.s për këtë gjë thotë: “Nuk ka besuar (ashtu siç duhet) asnjëri prej jush, derisa të dojë atë që do për vete, ta dojë për shokët e tij”.
Allahu xh.sh na bëftë sa më modestë në jetën tonë.
Hutbeja u mbajt me 25.05.2012
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë