Falënderimi i takon Allahut të madhërishëm. Salavati dhe selami i Tij qoftë mbi Pejgamberin tonë s.a.v.s., familjen e tij, sahabët, pasuesit e islamit deri në ditën e Gjykimit dhe gjithë shehidët e këtij ummeti.

Para nesh është një ngjarje me vlerë dhe e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishme në këtë vit kalendarik. Fjala është për kampionatin botëror, dhe do t’ia kushtojmë disa fjalë kësaj teme. Natyrisht, mendoj në kampionatin botëror në mirësi, ibadet, durim dhe vepra të mira, e ky është Ramazani.
Për këtë kampionat botëror, pra për Ramazanin tonë nuk ka kurrfarë kualifikimi dhe as nuk ekziston çfarëdo barazhi. I vetmi parakusht i vërtet për pjesëmarrje është feja e sinqertë në zemër, që me ardhjen tonë në xhuma tani më e kemi vërtetuar.
Me këtë besim jemi obliguar më seriozisht ta kuptojmë versetin kuranor:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El – Bekare, 183)
Në anën tjetër, njerëzit e suksesshëm do të thonë se përgatitja e mirë dhe planifikimi në realitet është gjysma e punës së kryer. Kështu është edhe me Ramazanin, që ta kalojmë në mënyrën sa më të bukur dhe duke shfrytëzuar të gjitha begatitë dhe mirësitë e tij, është e domosdoshme përgatitja kualitative. Përgatitja bëhet në shumë mënyra. Por, prapë nëpërmes hutbes së sotme dëshiroj të tërheq vëmendjen, sipas meje në dy momente kyqe.

1. Pastrimi i nijetit tënd
Është për ne e njohur se vlera e një vepre në masë më të madhe varet nga nijeti, gjegjësisht qëllimi që i qasemi dhe e bëjmë këtë vepër. Njëjtë është me Ramazanin dhe agjërimin në të. Nëse nijeti ynë është i sinqertë dhe i pastër, ëmbëlsira e agjërimit dhe magjepsja e Ramazanit do të jetë më e madhe. Si të kuptojmë a e kemi nijetin e sinqertë?
Mjafton që secili në vete të bëjë dhe të përpiqet të jep përgjigje në pyetjen e thjeshtë: Përse unë agjëroj?
Nëse agjëron për të parë dikush, nijeti yt nuk është i pastër. Nëse agjëron që të mos dallosh nga shoqëria ose fqinjët që agjërojnë, nijeti yt përsëri nuk është i pastër. Nëse fshehtazi të vie rëndë që ky Ramazan nuk i ka 29 por 30 ditë ose ankohesh për shkak të gjatësisë së agjërimit ditor, nijet yt nuk është i pastër. Nëse bën pjesë në ata që thonë se do ta përballoj unë edhe këtë, kam përjetuar gjithçka do ta përballoj edhe këtë, përsëri nijetin e ke diskutabil.
Ramazani dhe agjërimi janë simbole të vërteta të besimit që bartim në zemra dhe shenja më të thella të falënderimit tonë ta pafund ndaj Allahut të madhërishëm për gjitha begatitë që na dhuron Ramazani. Në agjërim duhet të ketë kënaqësi e jo vuajtje.
Andaj, le të bisedojmë me veten tonë për ta kuptuar çfarë nijeti kemi. Nëse e pastrojmë nijetin, gjysmën e punës e kemi kryer.

2. Të mësosh dhe të lexosh

Ne jemi ummet i librit dhe shkencës. Ne jemi njerëz që duhet të lexojmë dhe arsimohemi. Për t’u përgatitur sa më mirë për Ramazan, patjetër duhet të kuptojmë sa më shumë për këtë muaj të bekuar, të shfrytëzojmë këtë kohë nga fillimi i Ramazanit që të udhëzohemi në rregullat e tij, të mësojmë si dhe përse agjërohet, cilat janë vlerat e ditës dhe natës së këtij muaji, përse na është bërë obligim agjërimi, si do veprojmë …
Thënë shkurt, le të obligohemi vetit ta lexojmë ndonjë libër për Ramazanin. Le të obligohemi që së paku njëherë ta lexojmë Kuranin, ose nëse nuk dimë së paku ta lexojmë përkthimin e tij. Kështu do të arrijmë dituri të reja që do të na hapin horizonte dhe finsikërojnë dhe kështu do ta shohim Ramazanin me sy krejt tjerë.
Ne besimtarët në Kuran direkt jemi të nxitur që të garojmë në bërjen e veprave të mira. Ramazani vërtet është kampionat botëror në mirësi dhe ibadet. Janë të rëndësishëm për mua dhe ju të ju përkujtoj edhe në tri detale me rëndësi në çështjen e Ramazanit.
1. Në kampionatin botëror të mirësive, Ramazan, gjykon Gjykatësi më i drejtë, i Cili në një hadith kudsi thotë: “Agjërimi më takon Mua, dhe për të Unë në veçanti shpërblej (dhe për sinqeritetin e tij gjykoj).”
2. Në kampionatin botëror të mirësive, Ramazan, nuk ka simulim e as mashtrim, sepse Muhammedi a.s. në një hadith thotë: “Në agjërim nuk ka mashtrim.” Pra, ose agjërojmë ose jo. Nuk ka opsion të tretë.
3. Në fund në kampionatin botëror të mirësive, Ramazan, nuk mund të humbim nëse jemi të mirë dhe të vyeshëm, sepse këtë na premtojnë edhe fjalët e hadithit vijues:
“Kush agjëron Ramazanin, duke shpresuar në shpërblim, i falen mëkatet e bëra më parë.”
Andaj, le ta pastrojmë nijetin tonë, të mësojmë më shumë për Ramazanin, të jemi këmbëngulës dhe ta garojmë në mirësi. Nëse bëhemi të tillë, titulli i kampionit botëror, i Ramazanit, nëse do Zoti na garantohet.
Lutemi Allahut të madhërishëm të na bëjë të tillë siç Ai dëshiron me qenë.
AMIN!

Safet ef. Pozder
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi



Burimi