[ad_1]

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Vëllezër besimtarë!
Mëshira dhe urtësia e Allahut kanë caktuar që disa kohë të veçohen nga kohët tjera me shumëfishim të shpërblimeve për veprat e mira. Prej tyre është edhe Ramazani, muaji i agjërimit dhe shpalljes së Kur’anit. Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra…” [Bekare: 185]
Besimtari patjetër se duhet t’iu kushtojë vëmendje të posaçme këtyre kohëve, duke ndier në shpirt madhështinë e tyre dhe në praktikë gjallërinë për shtim të veprave të mira. Në këtë muaj kemi mirësi dhe begati të mëdha:
– hapen dyert e Xhennetit,
– mbyllen dyert e Xhehennemit,
– Allahu amniston besimtarë nga zjarri i Xhehennemit çdo natë,
– duaja e agjëruesit nuk refuzohet,
– agjërimi dhe falja me besim dhe sinqeritet gjatë Ramazanit shlyejnë mëkatet e mëparshme; Nata e Kadrit shlyen mëkatet e mëparshme,
– shpërblimi për agjërim është i pakufishëm; agjërimi është mburojë nga zjarri, etj.
Xhematlinjë të nderuar!
Allahu ligjësimin e agjërimit e shoqëroi me disa urtësi dhe sekrete, prej të cilave do të përmendnim:
1) Realizimin e adhurimit të vërtetë për Allahun, ngase njeriu e braktis ushqimin dhe pijen për hire të Allahut dhe atë vetëm pse Allahu e urdhëroi me këtë gjë. Ky është fakt për besimin e tij. Allahu thotë në një hadith kudsijj: “Ai, për hir Timin, e braktisi ushqimin dhe pijen.”
2) Realizimin e devotshmërisë duke kryer çdo gjë që sjell kënaqësinë e Allahut dhe duke iu shmangur çdo gjëje që sjell hidhërimin e Allahut. Kjo për arsye se agjërimi formal nuk është i kërkuar, siç thotë Muhammedi ?: “Kush nuk braktis gjatë agjërimit edhe fjalët e këqija (gënjeshtrën) dhe veprimin sipas asaj, (ai nuk ka arritur nga agjërimi i tij asgjë) ngase Allahu nuk ka nevojë që dikush prej jush ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.” [Transmeton Buhariu]
3) Agjërimi na ushtron për përmbajtjen nga mllefi dhe situatat e pakontrolluara. Në hadith qëndron: “Nëse e shan apo fyen dikush le t’i thotë: Unë jam agjërues!”
4) Agjërimi na përkujton te varfrit dhe skamnorët, të cilët nuk kanë ushqim që ta shuajnë urine e tyre. Omer b. Abdul Azizi prej kur u bë halife kurrë nuk ngopej. E pyetën për këtë ndërsa ai tha: Nuk ngopem ngase i harroj të varfrit. Përse të mos bëhemi të tillë kur Pejgamberi jonë, siç transmeton Buhariu, ishte njeriu më bujar porse bujaria e tij në Ramazan ishte më e madhe se sa në muajt tjerë.

Të dashur vëllezër!
Derisa jemi në prag të Ramazanit përse të mos ndalemi dhe të llogarisim veten tonë për Ramazanin e kaluar: Sa u kujdesem për agjërim? Sa u falëm? Sa lexuam Kur’an? Sa dëfreheshim me namaz të gjatë? Sa e përkujtonim Allahun? Sa i mbanim lidhjet me familjaret dhe farefisin? Ne çdoherë trumbetonim: Do ta shfrytëzojmë shansin e Ramazanit dhe ja tani Ramazani po na vjen por çfarë do të bëjmë? A do te jemi prej atyre dembelëve dhe përtacëve që çdoherë thonë: “unë do të…” apo do të jemi prej atyre që seriozisht bëjnë përpjekje në këtë muaj për ta arritur kënaqësinë e Allahut? A do të jetë ky Ramazan agjërim i trupit apo edhe i shpirtit?

Besimtarë të respektuar!
Ramazani është shans për të bërë një ndryshim në personalitetin tonë. Sa shumë gëzohet njeriu kur sheh besimtarë të shumtë të frekuentojnë xhamitë gjatë këtij muaji për te falur namazin e teravive. Sa shumë gëzohet syri kur sheh besimtarët të garojnë për tu ulur në radhët apo safat e parë. Ramazani është shans për të filluar me faljen e rregullt të namazeve nëse më parë nuk ke qenë i rregullt. Ramazani shans për leximin e Kur’anit për ata që gjatë muajve të tjerë e kanë braktisur atë. Ramazani është shans për t’i përmirësuar lidhjet me farefisin dhe ata që ke patur ndonjë zënkë a kacafytje.
Për fund, më lejoni që t’iu uroj për këtë muaj duke e lutur Allahun të na lehtësojë agjërimin dhe të na mundësojë të bëjmë sa më shumë vepra të mira!

[ad_2]

Burimi