Selver Xhemaili

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s.. I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:

“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani…”! (Kuran, 3/103)

Siç e dimë akti i pavarësisë së Shqipërisë finalizohet me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntorë 1912. Sigurisht që deri në finalizimin e kësaj ngjarje madhështore kanë kontribuar shumë personalitete. Në mesin e tyre kontribut të veçantë kanë dhënë edhe një grup i madh i ulemave gjegjësisht hoxhallarëve të asaj kohe. Në vazhdim do të prezantojmë mendimet e disa ulemave të asaj periudhe, idetë e të cilëve në mënyrë të drejtë për drejtë kanë kontribuar në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bërjen shtetit shqiptar.

Hoxhë Vehbi Dibra, Më 28 nëntor në kuvendin ku diskutohej ngritja e flamurit në fjalimi e tij mes të tjerash thotë: “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se, na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë. Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë dhe paqes së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mundë të përparoj shoqëria”. Ai theksonte se: Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, sepse jemi urdhnue për të studiu deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhëtue deri në vendet më të largëta për të studiue. Në komentin që i bënte Hoxhë Vehbiu disa ajeteve Kuranore thoshte: “Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye e me drejtësi.”

Kurse hoxhë Rexhep Voka i cili e flijoi veten në mbrojtje të gjuhës dhe kulturës shqipe, me anë të shkrimeve që u botuan në shtypin e kohës këshillonte masën e gjerë, duke u shprehur në këtë mënyrë. “O burra, mirë ta dini që feja e dija janë dy fletë për njerëzinë nga Perëndia. Njerëzia e njerëzve është me fe e me dije, fetari i dijshëm edhe te Zoti është i dashur, edhe në sy të çdo kujt është i ndershëm. Feja dhe

dija të tëra të mirat i sjellin e gjithë të këqijat i përcjellin. Njeriu fe e dije kur të ketë atëherë ka gjallëri të vërtetë.”

Ndërsa i famshmi Hafëz Ali Korça njëri ndër përpiluesit programit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht në pritje të lindjes së shtetit përkujtonte rreziqet që mundë t’i vijnë shtetit nga lufta për karrige, duke thënë: “Bijtë e mi mos qeshni mos gëzohi për një fron që nuk ka jetë; Po përpiqi të formoni veç një bashkim të vërtetë”!

Hafëz Aliu i përket atij brezi organizatorësh, që me veprimtarinë e tyre i bënë një shërbim të denjë çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtarë, çështjes së tërësisë dhe pavarësisë së atdheut, çështjes së fesë dhe përparimit të kombit. Ai thoshte: “vullneti i përbashkët i vazhdueshëm, bashkimi vëllaznorë, ideali i vërtetë kombëtarë, në pak kohë shtetin e bën lulishte diturie e trëndafilishtë qytetërimi”. Hafëz Aliu ruajtjen e besimit e shihte të mundshme në ndërtimin e shtetit. Ai thoshte: “Sa po mbajtëm mëmëdhenë kemi mbajtur besën e fenë. Çdo njeri që s’don atdhenë, ka shkelur nderin e fenë, S’ka njohur as Perendinë, bota kafsh le ta dinë”! Ai flet hapur, e me këmbëngulje kritikon të gjithë ata që sulmojnë besimtarët, duke i cilësuar si fanatik dhe jo kombëtarë. Këtyre tipave u thoshte: “Nuk di me çmendje venë, kush s’ka fe a do atdhenë? Duhet të mentonen pakë, fe e atdhe janë binjakë”… “Ç’derd ka për atdhenë kush ka flakur fenë. Për ditë vagaboni e nderon kiblenë”. Prandaj të nderuar vëllezër duke ua uruar festën e flamurit po e përfundojmë këtë hytbe me lutjen/duanë, që inshallah Zoti të na ndihmojë në bashkimin dhe unitetin tonë final.

E uruar qoftë dita e pavarësisë për jetë të jetëve.

(Muftiniatetove)



Burimi