Tema e hutbes së sotme është: „Njerëzit janë si 100 deve, mezi e gjen në mesin e tyre një deve shale“

Dëshiroj që me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm, përmes haditheve dhe ngjarjeve nga historia islame të flas mbi këtë temë të rëndësishme, të flas për ata që i posedojnë virtytet më të larta morale, të cilët para vetes kanë perspektiva dhe synime të qarta, dhe të cilët janë të vetëdijshëm për emanetin e halifit në Tokë.

Të tillët edhe kur janë të rinj, janë të rritur dhe të pasur, por edhe kur janë në nevojë. Ata janë bujarë dhe asnjëherë nuk kërkojnë nga njerëzit, por nga Allahu i Plotfuqishëm. Ata detyrat e tyre i kryejnë para se tu thuhet dhe nuk ka nevojë të kontrollohen nëse i kanë kryer. Ata i përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ndaj Allahut të Plotfuqishëm, Krijuesit të çdo gjëje dhe kujdesen për detyrimet ndaj vetes, familjes, fesë dhe atdheut.

Transmeton Abdullah ibn Omeri (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: „Njerëzit janë si 100 deve, mezi e gjen në mesin e tyre një deve shale.“ (Buhariu)

Shejh es-Sa’di, duke e shpjeguar këtë hadith, thotë: “Edhe kur i kemi 100 deve, në një situatë kur na nevojitet një deve shale, në mesin e tyre është vështirë ta gjejmë një deve për ngarkesë etj. Gjithashtu, është edhe me njerëzit; kemi shumë prej tyre, por kur kemi nevojë që njëri prej tyre të bëhet imam, të japë fetva, ta mësojë dikë, ta merr pushtetin, përgjegjësinë dhe të ngjashme, atëherë ata janë pak, dhe janë të rrallë ata që besimin që e kanë marrë dinë dhe duan ta plotësojnë deri në fund. Ky është realiteti ynë.”

Më tutje, shejh es-Sa’di, vazhdon: “Ky hadith përmban një lajm të vërtetë dhe një këshillë të dobishme. Këshilla është në kuptimin se i gjithë umeti duhet të përpiqet të përgatisë njerëz të cilët do ta ndryshojnë shoqërinë për të mirë, të cilët do të jetë të dobishëm për të gjithë, të cilët do të kenë ide progresive dhe do të kenë kapacitet për realizimin e tyre, dhe, të cilët do të kujdesen për qëllimet e kësaj bote dhe të botës tjetër.“

Vëllezër dhe motra, në një shtëpi modeste në Medine po rrinte ulur Omer ibn Hattabi (r.a.) me një grup të sahabëve, të cilëve ju thotë:

„Çka kishit dëshiruar?!“

– Njëri prej tyre tha: „Unë dëshiroj që kjo shtëpi të jetë e mbushur plot me flori, që atë ta ndaj në rrugën e Allahut!“

– Tjetri tha: “Unë dëshiroj që kjo shtëpi të jetë e mbushur plot me margaritarë, në mënyrë që t’i ndaj në rrugën e Allahut!“

Pastaj Omeri r.a. tha: „A dëshironi edhe diçka tjetër!?“

– Ata thanë: “Ne nuk dimë se çka të dëshirojmë, o halif i besimtarëve!“

Atëherë, Omeri r.a. tha: „Unë dëshiroj që kjo shtëpi të jetë e mbushur plot me njerëz si Ubejde ibn Xherrah, Muadh ibn Xhebel dhe Hudhejfe ibn Jeman!” (Hakimi në Mustedrek)

Sa fjalë të urta nga Omer ibn Hattabi r.a., ky gjiganti i Islamit, që edhe Iblisi i mallkuar është frikësuar të takohet me të, e lëre më që ta joshë apo largojë nga rruga e drejtë! Ai ishte i vetëdijshëm se me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm, njerëzit janë kapitali më i vlefshëm, se njerëzit i ngrejnë qytetërimet, dhe ata që kanë ra në krizë me urtësinë e tyre i ringjallin. Ai e dinte se njerëzit si sahabët e lartpërmendur do të jetë në gjendje t’i edukojnë brezat e ardhshëm, të cilët do të jenë drejtues të ndryshimeve shoqërore, dhe, se ata janë njerëz në të cilët gjithmonë mund të mbështetemi.

Çdo qytetërim kërkon parakushte materiale, në mënyrë që ta përmbushë qëllimin e tij, por më përpara, kërkon njerëz të cilët do të kenë qëllime të larta, të cilët do të kenë moral të fortë, besim dhe motivim, në mënyrë që të gjitha këto t’i vënë në veprim.

Vëllezër të dashur;

Njeriu i duhur është më i vlefshëm se mineralet e shtrenjta dhe metalet e çmuara, dhe, ai është më i shtrenjtë edhe se xhevahiret më të vlefshme.

Besimtari i vërtetë është i vetëdijshëm për pozitën dhe besimin e tij, ai është bartës i progresit dhe prosperitetit, dhe ai, duke u mbështetur në Allahun e Plotfuqishëm, plotësisht i përkushtohet punës tij dhe përpiqet që ta kryejë në mënyrën më të mirë, e pastaj bën lutje që ajo t’i pranohet, sepse çfarë do të ishte qëllimi i gjithë asaj që bëjmë, nëse Allahu nuk është i kënaqur me të!?

Vëllezër të respektuar;

Fuqia nuk është vetëm në mjetet materiale-teknike dhe në muskuj, sikur që, as arsimi dhe edukimi nuk janë në ndihmat teknike dhe veprat e shkruara, sa janë në fuqinë e dijetarëve dhe mësuesve. Po ashtu, as mjetet materiale për ndonjë projekt nuk janë aq të rëndësishme sa që është profesionalizmi, aftësia dhe entuziazmi i atyre që e ekzekutojnë.

I  urti  Omer ibn Hattabi r.a.  nuk dëshironte pasuri të kësaj bote, por njerëz të vërtetë, të cilët me përkushtimin e tyre dhe fuqinë e besimit do t’i hapin thesaret e kësaj bote. Një njeri ndonjëherë vlen sa qindra të tjerë, ndonjëherë sa mijëra, kurse ndonjëherë sa i gjithë kombi. Ekziston një thënie: “Njeriu i ideve e ngjall të gjithë kombin.”

Transmeton Ibn Haxheri: „Halid ibn Velidi, kur e kishte rrethuar Hirën, kishte kërkuar përforcime nga Ebu Bekr Es-Siddiku (r.a.) dhe ai ia kishte dërguar (vetëm) Ka’kaa bin Amrin (r.a.), për të cilin Halidi (r.a.) ka thënë: „E pamposhtur është një ushtri që në radhët e saj ka njerëz si ai!“ Ndërsa Ebu Bekri (r.a.) për Ka’kaa ibn Amrin r.a. ka thënë: „Zëri i Ka’kaa-s në ushtri është më i mirë se një mijë njerëz!“

Omer ibn Hattabi (r.a.) i kishte shkruar Sad ibn Ebi Vakkasit: „Cili luftëtar ishte më trim në Kadisije?“ Dhe ai ishte përgjigjur: “Unë nuk e kam parë askënd si Ka’kaa bin Amri, i cili atë ditë sulmoi 30 herë dhe secilën herë e vrau nga një hero!”

Kur u zgjat çlirimi i Egjiptit nën komandën e Amr ibn As-it (r.a.), ai i shkroi halifit Omer ibn Hattabit (r.a.) për t’i dërguar përforcime, dhe ky ia dërgoi vetëm 4 sahabë. Me atë rast, Omeri (r.a.) i shkroi: „Unë po ta dërgoj një përforcim prej 4.000 njerëzish, sepse secili prej tyre vlen sa 1000 njerëz. Unë po ta dërgoj: Zubejr ibn Avvamin, Mikdad ibn Esvedin, Ubade ibn Samitin dhe Meslem ibn Muhal-ledin. Dije se ti tash i ke 12.000 njerëz, dhe ju nuk do të fitoni me numrin tuaj të madh, por me forcën e besimit!”

Vëllezër të dashur;

Kur spanjollët në vitin 1492 e pushtuan Granadën, sundimtari i fundit arab qante derisa po kalonte për herë të fundit nëpër kështjellën e madhe, para se të arratisej. Atij iu afrua nëna e tij dhe i tha: “Mos qaj si grua për atë që nuk munde ta mbrosh si burrë!”

Në Ditën e Gjykimit nuk do të maten trupat, por veprat e njerëzve. Këtë e konfirmon hadithi i regjistruar nga Imam Buhariu, ku Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: „Do të vjen një njeri i madh dhe i trashë në Ditën e Gjykimit, kurse te Allahu nuk do të jetë as sa një krah i mushkonjës.“ Pasdaj lexoi: „ …Andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në Ditën e Gjykimit atyre nuk do t’u jepet kurrfarë vlere.“ (el-Kehf: 105)

Transmetohet se Abdullah ibn Mesudi (r.a.) ishte ngjitur në një dru palme për të marrë një kalavesh hurma, por kishte fryrë erë dhe ia kishte zbuluar këmbët, të cilat i kishte të shkurta dhe të holla. Sahabët e pranishëm u qeshën, ndërsa Pejgamberi (savs) tha: „Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, ato (këmbët) në Mizan janë më të rënda se mali Uhud.” (Ahmedi)

Në një rast Omer ibn Hattabi (r.a.) kaloi pranë një grupi të djelmoshave të cilët ishin duke luajtur, por kur e panë, ata u larguan, në vend të tij mbeti vetëm Abdullah ibn Zubejri. Atë e pyeti Omeri (r.a.): „Pse nuk shkove me shokët?“ Djaloshi me një guxim të madh u përgjigj: „Unë nuk bëra ndonjë gabim që të frikësohem, por as rrruga nuk është e ngushtë, e të shmangem që ti të kalosh!“

Vëllezër dhe motra, le të edukojmë breza të besimtarëve të fortë;

– Të cilët askujt tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm mos t’ia kenë frikën!

– Të cilët do të zemërohen kur të shkilen ligjet e Allahut të Plotfuqishëm dhe do t’i përmbahen Sunnetit me fjalë dhe me vepra!

– Të cilët do të jenë të guximshëm dhe të vendosur kur kjo të kërkohet prej tyre, por do të jenë edhe të modestë dhe të butë nëse e kërkon situata!

– Të cilët kurrë nuk do t’ua mohojnë të drejtat atyre që i meritojnë, por as nuk do të lejojnë të keqpërdoren nga ata që nuk ju takojnë!

– Të cilët në të gjitha do të jenë shembuj për të mirë!

– Të cilët do të gëzohen me gëzimet e besimtarëve të tjerë dhe do të pikëllohen kur besimtarët i godet ndonjë fatkeqësi!

– Të cilët do ta ruajnë nderin e tyre dhe nderin e çdo njeriu dhe të atyre që do të garojnë në të mirë!

I lutem Allahut të Plotfuqishëm;

– Që të na forcojë në rrugën e Islamit!

– Që t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona të pambrojtur, veçanërisht ata në Palestinë, Siri, Irak, Burma, Kashmir, Jemen, Libi dhe Egjipt!

– Që mos të na sprovojë me sundues të dhunshëm dhe me atë që ne nuk mund ta përballojmë!

– Që të na i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të mirë, të cilët tek ne e sollën dritën e Islamit!

– Që fëmijët tanë t’i bëjë dritë e syve dhe zemrave tona, udhëheqës të umetit dhe rojtarë më të mirë se ne të fesë dhe të atdheut!

– Që të na mëshirojë në Ditën e Gjykimit dhe të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë. Amin!

Hatib: Nezim Haliloviq Muderris;

Përshtati: Miftar Ajdini



Burimi