Dita Ndërkombëtare për  zhdukjen e varfërisë 

Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnikë dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

Kjo xhuma  përkon me Ditën Ndërkombëtare  të Ushqimit, që është 16 tetori, e cila pasohet me  17 Tetorin,  që ndërlidhet me një dukuri  globale, e cila vazhdon të shqetësojë shoqëritë e zgjuara, e të tronditë ndërgjegjet e gjalla. Është  ” Dita Ndërkombëtare për të çrrënjosur varfërinë “, të cilën bota e shpalli si datë zyrtare dekada më parë. Varfëria që nuk  ka lënë asnjë shoqëri bashkëkohore pa ia trokitur dyertë dhe pa u vendosur aty.

Është interesant se  Varfëria në gjuhën arabe shprehet me fjalën fakr (e fjalën fukara edhe ne sot e kësaj dite e përdorim në gjuhën tonë   sh.p.), por e njëjta përdorët edhe për unazat e bushtit kurrizor, të cilat nëse bëhen jofunksionale, trupi nuk mund të punojë dhe të fitojë. Pra çdo njëri prej këtyre dyjave e kërrus njeriun!

Për shkak të seriozitetit të varfërisë, Pejgamberi ﷺ  kërkonte strehim tek Zoti  i Madhërishëm   prej saj dhe thoshte: “O Zot, unë kërkoj strehim te Ti nga mosbesimi dhe varfëria”. (Sunen Nesa’i). Sikurse që ai ﷺ  lutej: ““ O Zot, kërkoj mbrojtje te Ti nga varfëria dhe pakësia si dhe nga poshtërimi, dhe kërkoj mbrojtje te Ti që të bëjë ose të më bëhet  padrejtësi”. Kurani i Shenjtë thotë se uria mund të jetë rezultat i mosmirnjohjes  ndaj  bekimeve të Zotit. Allahu i Madhëruar ka thënë: “ Allahu sjell si shembull  një venbanimi që ishte i sigurt e i qetë, të cilit i vinte rrizku me bollëk nga çdo anë, por më pas i mohuan dhuntitë e Allahut, ndërkohë që Allahu i bëri të shijojnë urinë e frikën për shkak të asaj që bënin. (En-Nahl: 112).

Një vështrim i shpejt në atë që po ndodh nëpër botë  dëshmon se bekimet dhe mirësitë  që ne po përjetojmë kërkojnë shumë mirënjohje dhe falenderim  Zotit tonë për atë që na ka nderuar  neve ndaj shumë prej atyre që Ai krijoi.

Bota sot i klasifikon vendet në:

  • Të zhvilluara, të cilat përbëjnë 25% të popullsisë së botës, që janë 37 vende, me një popullsi prej afërsisht 1.1 miliardë njerëz.
  • Dhe vendet në zhvillim, të cilat së bashku me vendet e varfëra përbëjnë 75% të popullsisë së botës,e që i afrohen 100 vendeve, me më shumë se tre miliardë njerëz.
  • Janë më shumë se tridhjetë vende të varfëra dhe quhen vendet më të prapambetura dhe më pak të zhvilluara, në të cilat të ardhurat për frymë janë më pak se 100 dollarë në vit dhe shkalla e analfabetizmit në to kalon 80%.
  • Ka më shumë se 1miliard e 200 milionë njerëz në botë që vuajnë nga varfëria ekstreme dhe uria e vërtetë, duke përfshirë – respektivisht – 350 milionë të varfër në Indi, 105 milionë në Kinë, 94 milionë në Bangladesh, 73 milionë në Brazil, 48 milionë në Indonezi dhe 47 milionë në Nigeri. ( Sts të para 10 viteve)

Një miliard e gjysmë njerëz  nuk kanë qasje në ujë të pastër për  pirje dhe 13 milionë fëmijë në botë vdesin çdo vit para ditës së pestë të lindjes, për shkak të sëmundjeve, kequshqyerjes dhe kujdesit të dobët shëndetësor. Ka rreth 50 milionë fëmijë në botë që lindin pa kujdes profesional, dhe ka më shumë se një miliard që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, dhe 2.6 miliardë njerëz vuajnë nga mungesa e objekteve shëndetësore, që tregon se 75% e popullsisë së botës aktualisht vuan nga mungesa e ujit, ushqimit dhe objekteve bazë sanitare.

Ekonomistët botërorë besojnë se dalja nga kjo situatë kërkon shpërndarjen e shumave imagjinare të parave, të vlerësuara me triliona  dollarë, veçanërisht me shenjat e krizës dhe rënies që po përjeton ekonomia globale për ditë e më shumë, jo vetëm në vendet në zhvillim. por edhe në disa vende të zhvilluara  që deri vonë klasifikohej si e pasur. (Aq më tepër kur shumë shtete të fuqishme në vend që të kontribuojnë për zhdukjen e varfërisë ato me brutalitetin e tyre dhe luftat që po shkaktojnë po e shtojnë edhe më shumë përwindjen e varfërisë dhe mjerimit! SH.P.)

(As Vendi ynë nuk është i imunizuar nga kjo situatë, pasi që për varfërinë dhe thellimin e skamjes në Kosovë flasin edhe të dhënat më të reja, të bëra publike, kohëve të fundit, qoftë nga institucionet kompetente, qoftë nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike. Sipas këtyre të dhënave, Kosova aktualisht e ka një shifër të lartë të varfërisë ekstreme rreth 5%. “Kjo nënkupton se rreth 5% e popullsisë jetojnë me më pak se dy euro në ditë, me 3.5 euro në ditë jetojnë 1%, ndërsa me 6.5 euro në ditë jetojnë 34% e popullatës në vend. Këto trende tregojnë se varfëria në Kosovë sillet rreth 24%. Pra, kjo përqindje e popullatës jeton në kushte të varfërisë ekonomike”, ka thënë këto ditë për medien e vendit profesori universitar, Ujkan Bajra [1])

Kjo që po ndodh në botë nuk është për shkak të mungesës së burimeve, as sterilitetit të tokës, sepse Zoti i Plotfuqishëm është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai ka përcaktuar rrizkun e të gjitha krijesave pa përjashtim. I Plotfuqishmi ka thënë: Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi. [El-Dharijat: 58]. Zoti i Madhëruar poashtu  thotë: “  Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi me masë në të furnizimin (për banorët) e saj[Fussilet: 10]. Dhe Zoti i Madhëruar tha: ” Ne ju vendosëm në Tokë dhe ju siguruam mjete jetese në të. Sa pak që jeni mirënjohës! (El-A’raf: 10).

Pra, ku qëndron sekreti?

Shpëtimi nga varfëria mund të arrihet vetëm përmes  hapave konkret përmirësues që pikënisje kanë bindjen dhe besimin e pasohen  me veprime konkrete praktike, prej të cilave  po përmendim më kryesoret:

1- Besimi se furnizues është vetëm Zoti dhe se ajo që arrin dora jote në këtë botë është e dekretuar as nuk shtohet e as nuk zvogëlohet. Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “ S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos e ketë marrë Allahu përsipër rrizkun e saj. ” [Hud: 6].

2- Mbushja e shpirtit me virtytin  e vetpërmbajtjes dhe kënaqësisë me atë posedon , i cili kurrë nuk vendoset në një shpirt përveçse e përmbush atë. . Pejgamberi, ﷺ ka thënë: “Asnjë rob nuk e hap derën e kërkimit , përveç se Zoti ia hap derën e varfërisë”.

Pejgamberi, ﷺ, e këshilloi Ebu Hurejren, duke i thënë: “Kënaqu me atë që të ka ndarë Zoti dhe do të jesh më i pasuri i njerëzve”. Kur një njeri i kërkoi Pejgamberit a.s. që ta udhëzonte në një vepër që, nëse e bënte, do ta donte Zoti dhe njerëzit do ta donin, ai i tha: “ Përmbaju nga (dashuria për) dynjaja të don Allahu,  dhe përmbaju nga ajo që njerëzit kanë në duartë e veta  do të të duajnë”  (Sahih Sunen Ibn Maxhe)

Ebu Hazim Zahidit i thanë: Ç’është me ty? Ai tha: Unë kam dy gjëra me të cilat nuk i frikësohem varfërisë: bindja  në Zotin dhe dëshpërimi nga ajo që është në duart e njerëzve.

Iu tha poashtu njëherë: A nuk ke frikë nga varfëria? Ai tha: “Unë t’i frikësohem varfërisë përderisa Zotëriut tim i përket ajo që ka në qiej dhe në tokë dhe çfarë ka ndërmjet tyre dhe çfarë ka në brendësinë e saj?!” Varfëri e vërtetë është varfëria e besimit dhe varfëria e mbështetjes te Dhënësi i Mëshirshëm.

3- Mbështetja e sakët legjitime, tevekkuli i vërtetë, nënkupton që njeriu  të nxitojë në punë dhe angazhim,  për të fituar bukën e gojës, sepse Zoti e ka caktuar furnizimin dhe ka urdhëruar mënyrat për ta arritur atë.  Allahu i Madhëruar ka thënë: “  Ai jua ka bërë Tokën të nënshtruar, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” [ElMulk:15]. Dhe Zoti i Lartmadhëruar thotë: O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!”   [ElXhumu’ah: 10].

Pejgamberi ﷺ ka thënë: ““Askush nuk ka ngrënë  ushqim më mirë se sa të hajë  nga puna e duarve të veta, edhe Profeti i Allahut  Davudi ﷺ  hante nga puna e  duarve të tij.” (ElBuhari) Ai ﷺ poashtu tha: “ Nëse ndonjëri prej jush merr litarin, sjell një tufë me dru zjarri në shpinë, e shet dhe e ruan fytyrën (dinjitetitn) e tij  është më mire për të sesa t’u kërkojë  njerëzve i japin apo do t’a privojnë.”

4- Kujdesi ndaj dhënies së zekatit, i cili arrinte në më shumë se 1.5 miliardë dollarë vetëm në njërin prej vendeve arabe, si dhe dhënia e shumë bamirësive e sadakave vullnetare për nevojtarët, të gjorët, jetimët dhe të vejat.  Zoti i Madhëruar tha: “ …e çfarëdo që të shpenzoni, Ai do t’ua shpërblejë ( kompenzojë) atë dhe Ai është Furnizuesi më i mirë .” (Sebe: 39) I Dërguari i Zotit ﷺ  ka thënë: “Nuk e pakëson sadaka pasurinë e robit”.   Është turp që ne të ngopemi ndërsa të varfërit  përpëliten  nga uria, madje  ata mund të jenë edhe fqinjët tanë. Pejgamberi  ﷺ ka thënë: “ Nuk është besimtar ai që gryset  i ngopur përderisa fqinji i tij është i uritur, duke  e ditur këtë.”

5- Ndalimi i të gjitha formave të korrupsionit, si mashtrimi, kamata, ryshfeti, bixhozi, alkooli e të tjera. Allahu i Madhëruar ka thënë: O besimtarë! Me të vërtetë pijet dehëse, kumari, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vetëm ndyrësi prej punëve të shejtanit. Prandaj, largohuni nga ato, që të shpëtoni!” [El-M Aide: 90], pra këto vepra  sjellin humbjen e pasurisë  dhe zhdukjen  e bereqetit të saj.

Kina e goditur nga varfëria në fund shekullin e kaluar  bëri hapa të mëdhenj në luftën kundër varfërisë, pasi numri i njerëzve të varfër atje u ul nga 634 milion njerëz në 1981, në 374 milion njerëz në 1990, pastaj në 128 milion njerëz në 2004, pastaj e solli në 105 milion njerëz brenda disa  viteve. Kina e kuptoi se korrupsioni ishte shkatërruesi më i madh i ekonomisë, kështu që ato periudha dëshmuan ndjekjen penale të çdo zyrtari të kapur në flagrancë për korrupsion. Po ashtu ua ndalojë   zyrtarëve të lartë aktivitetet biznesore, për të parandaluar përfitimin duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar.

6- Të mos harrojmë se mëkatet janë ndër shkatërruesit  më të mëdhenj të bekimit dhe bereqetit. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu mund të privohet nga rrizku-furnizimi për shkak të një mëkati që e vepron”  (Sahih Sunen Ibn Maxhe)

7- Rekomandimi për të kërkuar  falje istigfar sa më shpesh. Na mjafton fjala  e të Plotfuqishmit  me të cilën edhe po e përmbyllim këtë hutbe: “ Kështu që unë  u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh,  që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” [Nuh: 10-12].

Dr. Muhamed Vejlali

Përkthim dhe përshtatje

Thirrja.org   Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve

 

 

[1] https://buletiniekonomik.com/2023/07/kosova-e-varfer-me-tendenca-te-varferimit-te-metejshem/