Feja është një aspekt i rëndësishëm i jetës për shumicën e të rinjve muslimanë në botë. Sipas një raporti të mëhershën të organizatës Gallup, të titulluar “Muslimanët Amerikanë: Një Portret Kombëtar”, përqindja e të rinjve muslimanë që thonë se besimi është i rëndësishëm (77%) është afërsisht e ngjashëm me përqindjen e të rinjve protestantë (74%).

Megjithatë, nëse i vizitojmë shumicën e xhamive, qoftë në namazin e xhumasë apo në ditët tjera kur mbahen kurset e mësim-besimit, aty i gjejmë muslimanët e vegjël të moshës 10 vjeçare ose të rriturit mbi 30 vjeç. Grupmosha mes tyre zakonisht mungon. Veçanërisht vihet re mungesa e rinisë, nga mosha 11 deri në 19 vjeç. Ndërsa ata mund të kenë ndjekur kurset e mësim-besimit si fëmijë, ata kanë zgjedhur të distancohen nga xhamia në adoleshencë.

Është një krizë e vjetër që kërkon strategji dhe përgjigje të reja. Disa xhami e kanë vërejtur këtë problem dhe po përpiqen të rikthejnë rininë. Të tjerë besojnë se është një kauzë e humbur. Ndërsa disa të tjerë, me dashje janë injorantë ose nuk janë të gatshëm të jenë pak fleksibil për të lejuar hapësirë më të madhe për pjesëmarrjen e adoleshentëve në xhamitë tona.

Muhamedi , nuk ishte vetëm i vetëdijshëm për dinamizmin dhe forcën e të rinjve muslimanë. Ai u sigurua që t’i shfrytëzonte ata për të ndërtuar një komunitet më të mirë musliman. Ai u dha të rinjve të përgjegjshëm poste drejtuese; ai ndërveproi me ta në një mënyrë realiste, duke bërë që jo vetëm t’i dëgjonte, por edhe t’i lavdëronte për dhënien e një mendimi të mirë para më të moshuarve në shoqërinë muslimane të kohës.

Xhamia është zemra e komunitetit, thelbi i asaj që ne jemi kolektivisht. Këto Shtëpi të Zotit nuk u ndërtuan ekskluzivisht për burrat mbi 30 vjeç ose për fëmijët 10 vjeç e poshtë. Ato janë ndërtuar për të gjithë. Edhe adoleshentët muslimanë, ata tek të cilët ne mbështetemi për të vazhduar Islamin pasi brezi i vjetër të jetë zhdukur, nuk mund dhe nuk do të marrin pjesë nëse nuk bëjmë një përpjekje të fortë jo vetëm për të organizuar programe për ta, por edhe për t’i bërë ata të ndihen afër xhamisë.

Më poshtë janë 9 ide që mund të përdoren si pikënisje.

  1. Përdorni aktivitetet kolektive për të krijuar një ndjenjë përkatësie

– Ka fuqi në xhemat (grup). Ne e dimë se falja e namazit së bashku, përkujtimi i Zotit së bashku, ngrënia së bashku dhe më shumë veprime të tjera konsiderohen të gjitha vepra që u jepet shpërblim më i lartë sesa nëse bëhen individualisht.

Një nga gjërat më të rëndësishme që kërkojnë adoleshentët është ndjenja e përkatësisë. Kjo është arsyeja pse xhamitë duhet të përfitojnë nga akte të ndryshme të adhurimit kolektiv për të sjellë adoleshentët. Disa ide përfshijnë:

– Adoleshentët muslimanë kthehen në programin “Xhuma”. Organizoni disa të rinj muslimanë të marrin përgjegjësinë për t’u dërguar mesazhe miqve të tyre, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë së bashku në namazin e xhumasë.

– Përkujtim ditor i namazeve me xhemat: bëni të njëjtën gjë si më sipër, përveç se në këtë rast me namazet ditore, veçanërisht sabahut dhe jacisë, kur adoleshentët nuk janë në shkollë, si dhe të pesë namazeve gjatë fundjavës, atëherë kur të rinjtë zakonisht kanë më pak obligime.

  1. Mbani takime të hapura mujore për të rinjtë

Takimet e hapura në xhami janë bërë një aktivitet kryesor në komunitet, veçanërisht për qëllime ndërfetare. Zgjerojeni këtë koncept tek të rinjtë muslimanë duke organizuar aktivitete të tilla si “Nata e Rinisë”. Çështja është që adoleshentët të ri-njihen me xhaminë e tyre. Sigurohuni që në vendin ku mblidheni të ketë ushqime të lehta dhe pije të ndryshme.

Për sa i përket aktiviteteve, zgjidhni një temë të përqendruar në Atributet e Zotit dhe në ndërtimin e karakterit dhe zhvilloni një diskutim. Adoleshentët shpesh ankohen se nuk u lejohet të shprehen dhe të diskutojnë çështje me prindërit e tyre dhe më të moshuarit e komunitetit. Lërini ta bëjnë këtë gjatë rrjedhës së kësaj ngjarjeje, por vendosni disa rregulla bazë që në fillim në mënyrë që të mos dalë jashtë kontrollit.

Shmangni temat që i janë paraqitur vazhdimisht kësaj grupmoshe. Nuk është se nuk duhet folur për to. Por qëllimi i këtyre takimeve është të fillojmë me bazat e besimit që do të rrënjos një besim dhe lidhje më të thellë me Allahun dhe xhaminë si një institucion komunitar.

  1. Ofroni shërbim të mirë ndaj klientit

Në Amerikë, shumë qendra fetare e kanë vërejtur këtë koncept. Disa e kanë “përulur” veten për ti afruar të rinjët në këto qendra, ndonjëherë edhe në kurriz të parimeve të tyre. Por shërbimi i mirë ndaj klientit nënkupton disa gjëra të thjeshta që bëjnë bizneset e mençura që i lejojnë klientët të ndihen të mirëpritur në qendrat e tyre të shitjes: punëtorë të buzëqeshur të gatshëm t’i shërbejnë klientëve; mjedis i pastër; produkte të përballueshme; dhurata në formë të kartave të besnikërisë, apo edhe ulëse në pjesë të ndryshme te qendrave tregtare dhe makina shitëse pranë hyrjes, në mënyrë që blerësit potencialë të ndihen rehatshëm dhe të vlerësuar.

Në xhamitë tona, ne nuk po e “shesim” Islamin. Megjithatë, ne duam të sigurohemi që të gjithë ta përfaqësojmë atë në mënyrën më të mirë përmes, siç thotë Kurani, “urtësisë dhe predikimit të bukur”. A e shohim këtë në shumicën e xhamive? Sinqerisht, jo.

Kur bëhet fjalë për adoleshentët muslimanë, ne shpesh priremi të jemi edhe më të ashpër. Qoftë duke u shfaqur të vrenjtur ndaj tyre, qoftë duke mos u kushtuar fare rëndësi, duke mbajtur hytbe që kanë pak rëndësi për jetën e shumicës së të rinjve, dhe nganjëherë intoleranca ndaj mënyrës së faljes ose veshjes së dikujt.

Duhet ti shqyrtojmë të gjitha mënyrat se si mund t’i “shtojmë vlerë” përvojës së xhamisë duke ripërqafuar konceptin origjinal të “urtësisë dhe predikimit të bukur” kur bëhet fjalë për xhamitë dhe adoleshentët.

  1. Bëjeni xhaminë tuaj prezente në rrjetet sociale

Studimet kanë zbuluar se katër nga pesë adoleshentë (17 milionë) në Shtetet e Bashkuara posedojnë telefona të mençur (një rritje prej 40% që nga viti 2004). Gjithashtu, shkëmbimi i mesazheve po i zëvëndëson takimet fizike mes adoleshentëve. Bota virtuale është aq e rëndësishme për ta, saqë nëse rrjetet sociale nuk do të egzistonin, 47% e adoleshentëve thonë se jeta e tyre sociale do të përfundonte ose do të përkeqësohej.

Pjesa dërmuese e xhamive kanë filluar ta shtojnë prezencën e tyre në rrjetet sociale duke i njoftuar anëtarët e tyre me aktivitetet e ndryshme të cilat i organizojnë. Kjo “prezencë sociale” është mjaft e rëndësishme për t’i afruar të rinjtë me xhaminë. Theks të veçantë duhet kushtuar Facebook-ut, rrjetit të më madh social, 40% e përdoruesve të të cilit janë nën moshën 25 vjeçare sipas një raporti.

  1. Mbani takime me ta ku diskutoni temat e hutbeve

Një sy gjumë ose kalimi i kohës në telefon kur imami është duke e mbajtur hytben nuk është e pazakonshme në shumicën e xhamive tona. Tek disa kjo mund të ndodhë për shkak të lodhjes së madhe ose ndonjë arsye tjetër, porn ë shumicën e rasteve kjo është reflektim i ligjëruesit dhe hytbes së mërzitshme.

Përgjatë javës ndani kohë që të takoheni me një grup të rinjësh të cilët janë frekuentues të rregullt të xhamisë tuaj. Pyetni ata për përmbajtjen e hytbes, kërkojni prej tyre t’iu këshillojnë për përzgjedhjen e temave, çka duhet diskutuar, çka duhet menjanuar, pikat e dobëta tuaja si ligjërues e të ngjashme. Gjithashtu shfrytëzojeni edhe faqen tuaj në Facebook që ti pyesni ata që ju përcjellin për përzgjedhjen e temave.

  1. Bëni përpjekje të veçantë për të përfshirë gratë e reja muslimane

Shumë muslimanë ende e shohin si çështje tabu përfshirjen dhe pjesëmarrjen e grave në xhami, duke filluar nga “vajzat dhe gratë nuk mund të shkojnë në xhami” deri tek “gratë nuk mund të kenë asnjë fuqi vendimmarrëse brenda këshillit të xhamisë”.

Bëni përpjekje të veçantë për të krijuar një mjedis miqësor për motrat për gratë në përgjithësi. Gjithashtu inkurajoni gratë e reja muslimane që të jenë pjesë e bordit ose këshillit kryesor të xhamisë, në mënyrë që ato të mund të ndajnë shqetësimet dhe çështjet e tyre.

  1. Shitni shpresë dhe optimizëm

Profeti Muhamed , ka thënë: “Lehtësojini gjërat dhe mos i vështirësoni ato, gëzojini njerëzit duke u përçuar atyre myzhde dhe mos i zmbrapsni” (Buhariu dhe Muslimi).

Ne po jetojmë në kohë të vështira për muslimanët në Amerikë dhe në mbarë botën. Xhamia nuk duhet të jetë vetëm vend ku flitet për këto sfida, por duhet të jetë edhe vendi ku muslimanët mund të gjejnë ngushëllim.

Të rinjtë muslimanë, në veçanti, mund të përballen me ngacmime në shkollë për shkak të besimit të tyre. Përveç kësaj, presioni për të bërë gjënë e duhur në përputhje me vlerat islame është i vështirë, veçanërisht në këtë moshë.

Bëjeni xhaminë tuaj një burim shprese dhe rehatie për muslimanët. Së paku një herë në muaj, hytbet tuaja duhet të jenë për një temë optimiste, diçka që do t’i mbushë dëgjuesit me gëzim; imamët, hatibët dhe të gjithë ata që janë të përfshirë rregullisht në xhami duhet të buzëqeshin më shpesh; lajmet pozitive për gjërat e mira që muslimanët po bëjnë ose për të tjerët që mbrojnë muslimanët duhet të bëhen publike gjatë predikimeve dhe në rrjetet sociale.

  1. Krijoni një forum për shërbim ndaj komunitetit

Të rinjtë kanë një sasi të madhe energjie që, nëse drejtohet në kanalet e duhura, mund të korrin rezultate të pabesueshme jo vetëm për veten e tyre, por për të gjithë komunitetin në përgjithësi. Një mënyrë për ta bërë këtë është të organizoni projekte shërbimi të planifikuara nga të rinjtë, në bashkëpunim me një të rritur përgjegjës. Ngjarjet si Dita e Dinjitetit (krijon një mundësi për individë të kujdesshëm nga komunitete të ndryshme për të ofruar shërbime për fqinjët e tyre në nevojë.) e organizatës Islamic Relief janë një shembull.

Çdo gjë që i bën adoleshentët të ndiejnë se po bëjnë mirë dhe po përfitojnë të tjerët, janë llojet e gjërave që do të ndërtojnë vetëvlerësimin individualisht, si dhe kolektivisht. Nëse bëhen në xhami në mënyrën e duhur, ato do të nxisin respekt nga të rinjtë, dhe në planin afatgjatë, një dëshirë për t’u bërë më të lidhur mes vete dhe më të përfshirë.

  1. Inkurajoni argëtimin hallall

Muzika është konsideruar prej kohësh një çështje e diskutueshme në Islam dhe komunitetin musliman, ndërsa adoleshentët përballen me faktin se shumica e muzikës bashkëkohore që dëgjojnë nxjerr ide dhe vlera të kundërta me besimin e tyre.

Megjithatë, Islami e bën dhe e ka lejuar shprehjen artistike, dhe ka mënyra se si të rinjtë muslimanë, të cilët shpesh shijojnë muzikën dhe forma të tjera argëtimi, mund të përfitojnë nga një ngjarje argëtuese hallall e fokusuar në xhami. Njëra është garat e recitimit të Kuranit (këto mund të zhvillohen para audiencës vetëm për burra dhe vetëm për gra). Një tjetër aktivitet janë garat për ilahi. Të tjerat mund të përfshijnë artin dhe poezinë islame.

Për më tepër, në Bajram, inkurajoni vëllezërit e rinj të komunitetit që të marrin përgjegjësinë e recitimit të tekbireve në një mënyrë të bukur, që do të kënaqë zemrat dhe do të sjellë gëzim në këtë ditë lumturie.

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org