[ad_1]

Ligjërues: Imam Didmar Faja

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare:

Besimi në Zotin e gjithësisë është burimi i çdo mirësije. Allahu (xh.sh.) e ka krijuar njeriun që ta ndihmojë atë, si në këtë botë të përkohshme, po ashtu edhe në botën tjetër të përjetshme. Ai e ka bërë besimin, ushqimin shpirtëror të njeriut dhe i ka garantuar qetësinë shpirtërore në këtë botë dhe në tjetrën atij që mveshet me besim dhe e shoqëron atë me vepra të mira.

Kur’ani përmban shumë versete ku Allahu (xh.sh.) na drejtohet me thirjen: “O ju që keni besuar…” dhe që Allahu të thërrasi “besimtar”, është vlerësimi më i madh.

Përsa i përket përkufizimit të fjalës Iman, le të lexojmë fjalët e Imam Tahavij, në librin El Akidetut-tahaavijjeh:

الإيمان هو الإقرار باللسان والتصديق بالجنان ولا يخرج العبد من الإيمان إلا بجهود ما أدخله فيه

“Imani është pranim me fjalë dhe vërtetim me zemër. Shërbëtori i Allahut nuk del nga Imani, përvecse kur mohon atë që e ka bërë atë besimtarë.”

Do të thotë që Imani, është një ndjenjë që vendoset në zemrën e njeriut. Fjalët dhe veprat e njeriut duhet të jenë vërtetuese për këtë ndjenjë. Besimtari mund të bëjë gabime të rëndomta, për të cilat mund të dënohet, por ato nuk e nxjerrin atë nga besimi, përveçse nëse ai përmes gabimit me vetëdije, mohon Allahun dhe kundërshton mësimet e Tij. Për shembull, nëse themi që njeriu ka humbur disa namaze, të cilat janë të detyruara, por ai nuk e mohon se namazi është detyrim, atëherë, nëse Allahu do, ai mund të ndërshkohet për atë gabim. Në momentin kur njeriu e mohon namazin, atëherë ai del nga besimi, për vetë faktin se ai mohoi fjalën dhe urdhërin e Zotit që gjindet në Kur’an.

Vazhdon thënia e Imam Tahavijj:

والإيمان واحد وأهله في أصله سواء. و التفاضل بينهم بالتقوى ومخلفة الهوى وملازمة الأولى
“Imani është një dhe besimtarët në esencë janë të njëjtë. Ndryshimi i tyre është në devotshmëri, në braktisjen e eshpit dhe në vazhdimësinë konstante me prioritetet fetare.”

Lidhja shpirtërore

Duke u bazuar në shprehje Profetike, Imani ndahet në më shumë se shtatëdhjetë degëzime. Më e larta është shprehja dhe bindja “La ilahe il-lall-llah dhe ajo e fundit është, largimi i një pengese nga rruga. Imani, gjithashtu përmban këto gjashtë kushte themelore:

1- Besimi në Zot

2- Besimi në engjujt

3- Besimi në librat e shpallura të Dërguarve

4- Besim në të dërguarit Tij

5- Besimi në Ditën e Gjykimit

6- Besimi në Kada dhe në Kader të Zotit (caktimin)

Në librin “Fihi ma Fihi” të Mevlana Xhelaledin Rumi shkruhet: “Dikush e pyeti Rumiun: C’ka është më i madh se Namazi? Ai u përgjigj: “Shpirti i Namazit” që do të thotë se Imani të bën besimtarë dhe se ai, shfaqet përmes Namazit.

Rumiu krahason shpirtin e njeriut para se të vendoset në trupin e tij, me ujin e kthjellët, ku mund të shikosh çdo gjë në të dhe në momentin kur njeriu gjindet në këtë botë, ai ujë trazohet nga dheu. Pejgamberët, evlijat dhe ulemat e Allahut janë ata që i kujtojnë njeriut origjinën e shpirtit të tij, kjthelltësinë. Ka dhe nga ato shpirtra, që uji i tyre është përzier aq shumë me dhe, saqë nuk arrijnë të kujtojnë kthjelltësinë e tyre. Në këtë botë ata janë shumë të hutuar, por kur shfaqet “momenti i të vërtetës”, ata e kuptojnë atë.

Rumiu gjithashtu jep dy shembuj: Shembullin e një gruas e cila kërkon për dicka të çmueshme që i ka humbur dhe në momentin që ajo e gjen atë, nuk ka më nevojë të shikojë përsëri, se gjindet para saj. Gjë që tregon se besimi i duhet njeriut në këtë botë, por përsa i përket momentit kur ai do gjindet në botën tjetër, realiteti qëndron para tij dhe ai vehtë është pjesë e asaj bote të pafundme.

Shembulli tjetër është i disa besimtarëve të cilët gjinden në vende të errëta natën dhe kërkojnë drejtimin e Qabes. Të gjithë falen në drejtime të ndryshme duke u bazuar në supozimet e tyre më të mira, përveç njërit, i cili megjithëse është në errësirë është i sigurtë se është i drejtuar nga Qabja. Në mëngjes të gjithë e kuptojnë se nga është drejtimi për nga Qabja dhe kthehen drejt saj për faljen e namazeve të tyre. Ai, i cili falej në drejtim të Qabes duke qënë në errësirë, a ka nevojë të drejtohet me ardhjen e dritës?

I dashur vëlla dhe motër besimtare! Besimi i patundur dhe i shoqëruar me punë të mira është diell në errësirë për Muslimanin dhe argument që shpirti i tij ka jetuar gjithmonë me “Realitetin”, prandaj dhe Imam Aliu ka thënë: “ Dhe nëse trupi im ka mbaruar dhe para meje fillon Ringjallja, besimi im nuk do zmallohej.

Lidhja e Imanit me veprat e mira

Besimi duhet të shoqërohet me veprat e mira dhe ato janë stolia e tij. Nuk janë të drejtuar ata që thojnë se besojmë, por pa vepra. Ka dhe nga ata që janë të bindur plotësisht se Allahu do i shpërblejë vetëm për besim dhe për ndonjë vepër të mirë kur kujtohen ndonjëherë dhe do i falë për të gjitha tjerat. Bindje kjo, komplet e gabuar. Në lidhje me këtë, le t’i hedhim një shikim Kur’anit. Në shumë Sure, Allahu (xh.sh.) i premton besimtarëve mirësitë e Tija apsolute, duke filluar me këto fjalë: “Me të vërtetë se ata që besuan dhe vepruan punë të mira…” Ai, gjithashtu në Suren Bejjineh thotë:

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ أُوْلَـٰٓٮِٕكَ هُمۡ خَيۡرُ ٱلۡبَرِيَّةِ (٧) جَزَآؤُهُمۡ عِندَ رَبِّہِمۡ جَنَّـٰتُ عَدۡنٍ۬ تَجۡرِى مِن تَحۡتِہَا ٱلۡأَنۡہَـٰرُ خَـٰلِدِينَ فِيہَآ أَبَدً۬ا‌ۖ رَّضِىَ ٱللَّهُ عَنۡہُمۡ وَرَضُواْ عَنۡهُ‌ۚ ذَٲلِكَ لِمَنۡ خَشِىَ رَبَّهُ ۥ (٨)

“ Me të vërtetë, ata që besuan dhe punuan vepra të mira, ata janë më të mirët e krijesave. Shpërblimi për ata është tek Zoti i tyre, kopshtet e Adnit, nëpër të cilët burojnë lumenj, e aty janë të përhershëm, përgjithmonë,. All-llahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo pra është, për atë që e ka frikë Zotin e vet.

Pra, kuptohet se krijesat më te mira dhe trashëguesit e dhuntive të pafundme, janë ata që besuan dhe vepruan punë të mira. E kundërta qëndron me pabesimtarët.

Kur’ani famëlartë përmban një Sure, e cila quhet “Besimtarët”. Versetet e para të kësaj Sure flasin pikërisht për lidhjen e besimtarit me vazhdueshmërinë e punëve të mira. “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin, dhe ata të cilët e ruajnë nderin e tyre (sa i përket jetës intime)…”

Udhëheqësi famoz musliman, Umer Ibn Abdul Aziz, i shkruan Adij Ibn Adij: “Besimi përfshien Faraid (obligimet), rregullat, Hudud (limitet e lejesave dhe ndalesave) dhe Sunneh (traditën profetike). Ai që i përmbahet të gjitha këtyre, e ka përsosur besimin e tij, ndërsa ai që nuk I përmbahet atyre, nuk e ka përsosur atë.”

Sinqeriteti në devotshmëri, pasqyron besimin e fortë. Kjo është një gjë e rëndësishmë në lidhje me besimin. Ajo devotshmëri e cila shfaqet në menyrë sipërfaqësore nuk mbërrin tek Krijuesi I gjithësisë. Nuk është devotshmëri të tregosh para njerëzve sa rekate falesh, sa shumë agjëron dhe as sa të gjatë e ke mjekrrën, por devotshmëri është, kur njeriu beson me gjithë qënien e tij dhe kryen obligimet i shtyer nga besimi dhe jo nga interesi, ose mendjemadhësia. Thotë Allahu Fuqiplotë në Kur’an:

لَّيۡسَ ٱلۡبِرَّ أَن تُوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ قِبَلَ ٱلۡمَشۡرِقِ وَٱلۡمَغۡرِبِ وَلَـٰكِنَّ ٱلۡبِرَّ مَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأَخِرِ وَٱلۡمَلَـٰٓٮِٕڪَةِ وَٱلۡكِتَـٰبِ وَٱلنَّبِيِّـۧنَ وَءَاتَى ٱلۡمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ ذَوِى ٱلۡقُرۡبَىٰ وَٱلۡيَتَـٰمَىٰ وَٱلۡمَسَـٰكِينَ وَٱبۡنَ ٱلسَّبِيلِ وَٱلسَّآٮِٕلِينَ وَفِى ٱلرِّقَابِ وَأَقَامَ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَى ٱلزَّڪَوٰةَ وَٱلۡمُوفُونَ بِعَهۡدِهِمۡ إِذَا عَـٰهَدُواْ‌ۖ وَٱلصَّـٰبِرِينَ فِى ٱلۡبَأۡسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَحِينَ ٱلۡبَأۡسِ‌ۗ أُوْلَـٰٓٮِٕكَ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْ‌ۖ وَأُوْلَـٰٓٮِٕكَ هُمُ ٱلۡمُتَّقُونَ (١٧٧)

“Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do, u jep të afërmve, bonjakëve, të vërfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” (Surja Bekare, ajeti 177.)

Frutet e Imanit

Në pika të shkurta do flasim për frutet e Imanin dhe do ndalemi tek ato kryesoret.

Dashuria, bindja dhe sinqeriteti

Ai i cili arrin ta njohi mirë Allahun me Emrat e Tij të Lartësuar dhe Cilësitë e Tij të Shenjta, arrin ta duaj Atë. Ai që arrin ta duaj Atë, i bindet Atij. Thuhet në vargje poetike:

تعصي الإله وأنت تظهر حبـه ذاك لعمري في المقال شنيع

لو كان حبك صادقاً لأطعتـــه إن المحب لمن يحب مطيــع

Nuk i bindesh Zotit, por ti shfaq dashurinë e Tij!?

Betohem në jetën time, se në thënie, kjo është e egër

Nëse do ishte dashuria yte e sinqertë, do i bindeshe Atij

I dashuri i bindet atij që ai dashuron.

Sinqeriteti gjithashtu është kusht për pranimin e veprave, e ai njeri që mvishet me petkun e Imanit ka dhe sinqeritetin. Tek Allahu mbërrijnë vetëm ato punë që bëhen me sinqeritet. Thuhet se një grua që fali tokën e saj për ndërtimin e një universiteti Islam në veri të Afrikës, agjëroi që nga dita që filluan ndërtimet, deri kur ata mbaruan, duke iu lutur Allahut për pranimin e kësaj lëmoshe. Ka shumë nga ata, që në syrin e njerëzve hiqen si besimtarë, por në fakt nuk kanë lidhje me besimin. Sa keq për ata që kapen pas imtësirave dhe harrojnë përparësoret. Sa keq për ata që kur janë me besimtarët, hiqen si të tillë dhe kur bashkohen me jobesimtarë sillen poashtu si ata. Dhe sa keq për ata që kanë dije, por i mungon sinqeriteti. Në kohën e Profetit (a.s.) disa arabë nga shkretëtira (beduinë), shpreheshin se janë besimtarë, por u zbrit verseti Kuranor nga Surja Huxhurat që në të thuhej “ Thuaji (atyre o Muhamed a.s.), se nuk keni besuar, por thoni që jemi dorëzuar, e ende nuk po u hyn besimi në zemrat tuaja. E nëse e respektoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se All-llahu është shumë Mëkatfalës, shumë Mëshirues”.

Devotshmëria “Takva”

Pa dyshim se devotshmëria në fe është resultat i besimit. Nëse hedhim një shikim në versetet e Kur’anit do gjejmë se disa praktika Islame obligohen nga Zoti, në mënyrë që njeriu të arrijë devotshmërinë. Për shembull në Suren Bekareh, Allahu urdhëron agërimin e Ramazanit dhe në fund të versetit thotë “…që ju të arrini devotshmërinë.”

Adhurimi

Adhurimi ndaj Krijuesit, është pjesë e bindjes ndaj Tij. Islami, ndrysh nga shumë besime të tjera përfshin në devotshmëri jo vetëm ritualet fetare, si Namazin, agjërimin etj., por dhe jetën sociale të njeriut. Në ç’do moment që njeriu i përmbahet Islamit, ai ka adhuruar Krijuesin dhe shpërblehet. Për këtë dhe Islami është i lidhur me njeriun aq fort, sa që thuhet se Islami është jeta.

Shfaqja e mirësisë dhe përmbajtja nga ndalesat

Imani bën që njeriu të jetë burim mirësie për c’do gjë që e rrethon atë. Besimtari pëlqen për hir të Allahut dhe urren për hir të Tij. Ai i afrohet të mirave dhe i përcjell tek të tjerët, gjithashtu largohet nga të ndaluarat dhe mundohet që edhe njerëzit tjerë t’i qëndrojnë larg atyre. Në një Hadith që transmetohet nga Enes (r.a.), i dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “ Kushdo që posedon tre atribute, do përjetojë ëmbëlsinë e Imanit: Të dojë Allahun dhe Pejgamberin e Tij më shumë se c’do gjë tjetër, të dojë dikë vetëm për hirë të Allahut dhe të urrejë të kthehet në pabesim, ashtu sic do urrente të hidhej në zjarr.” Buhariu

Ballanca në fe

Ballanca në fe vjen nga besimi dhe besimtari gjithmonë i ballancon punët e tij. Ai nuk është ekstremist dhe e di se ekstremi të dërgon në humbje. Ai nuk bëhet aq i lëshuar që të braktisi normat e Islamit, as nuk i kryen këto norma i sforcuar duke dëmtuar shëndetin e tij dhe duke mos përmbushur të drejtat ndaj vehtes së tij në fillim dhe pastaj ndaj të tjerëve. Në një Hadith që transmetohet nga Ebu Hurejreh, Pejgamber (a.s.) ka thënë: “Feja është e lehtë. Kushdo që e bën fenë të vështirë për vehten e tij, do do mbizotërohet, prandaj drejtoni vehtet tuaja në atë që është e drejtë dhe ndiqni rrugën e mesme.” Buhariu

Vazhdueshmëria e punëve të mira

Imani bën që besimtari të jetë i vazhdueshëm në adhurim dhe në kryerjen e punëve të mira. Transmetohet nga Aishja (r.a.), se një herë erdhi Hz. Muhamedi (a.s.) dhe një grua gjindej tek unë. Ai pyeti: “Kush është kjo? Unë i thashë: Kjo është X grua dhe i tregova se sa shumë ajo falet. Ai tha: Ndal! Ti duhet të bësh aq sa ke mundësi. Betohem në Allah, se Ai nuk lodhet (duke shpërblyer) ashtu siç lodhesh ti. Dhe Dinin që ai pëlqen më shumë është ai në të cilin ka qëndrueshmëri.” Do të thotë që më mirë pak, por konstant. Ta kemi të qartë se kur themi pak, nuk ka kuptim reduktimin e obligimeve parësore. Në një thënie tjetër, zotëriu i njerëzimit thotë:

“قل وإن أدومها الله إلى الأعمال أحب ”

“Veprat më të mira tek Allahu janë ato megjithëse pak, por konstate.” Buhari

Në fund më mbetet që t’i lutem Fuqiplotit të na e mbrojë besimin. Të na bejë nga ata që jetojnë si besimtarë dhe vdesin si të tillë. Amin

Ligjeratat gjatë muajit Nëntor – Dhjetor 2010 në Greenway Masjid, Arizona

www.greenwaymasjid.com

[ad_2]

Burimi